Mihali sulmon ashpër Kushtetuesen: Pesë anëtarë aktivizohen kur opozitës nuk i ecën vota në popull

1 minute, 2 seconds Read

Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka lëshuar akuza të forta ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se ata aktivizohen vetëm kur “atyre që i kanë jashtë nuk u ecën vota te populli”. Ky reagim erdhi menjëherë pas vendimit të publikuar të premten, përmes të cilit u shfuqizuan 13 ligje të miratuara nga mazhoranca.

Gjykata Kushtetuese njoftoi se partia në pushtet, më 5 dhjetor 2024, kishte shkelur procedurat parlamentare duke miratuar disa ligje në dy lexime brenda një dite të vetme. Ky aktgjykim u mor me mbështetjen e pesë anëtarëve të kësaj gjykate.

Përmes një postimi në Facebook, Mihali e cilësoi të paprecedentë faktin që Gjykata i mbajti ligjet “të ngujuara” për më shumë se një vit, duke tejkaluar afatin maksimal prej tre muajsh. “Priti katër palë zgjedhje dhe të gjitha numërimet e votave për të na njoftuar se seanca na qenkërka joprocedurale. Nuk dihet se prej kur Kushtetuesja merret me rregulloret e seancave, teksa shumica vendos për to. Por ajo që dihet është se pesë anëtarët aktivizohen kur atyre që i kanë jashtë nuk u ecën vota,” deklaroi Mihali. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme