Paga e 13-të dhe pakoja 200 milionëshe: Kurti zbulon vendimet e para të qeverisë së re

2 minutes, 9 seconds Read

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se qeveria e ardhshme synon të ndërmarrë hapa konkretë për forcimin ekonomik të vendit, ku prioritet mbetet ekzekutimi i pagës së 13-të për sektorin publik dhe masat e reja për përballimin e kostos së energjisë elektrike.

Në një intervistë dhënë për KosovaPress, me rastin e 27-vjetorit të këtij mediumi, Kurti konfirmoi se Ligji i ri i Buxhetit për vitin 2026 parashikon pagën e 13-të për të gjithë shërbyesit publikë. Megjithëse tradicionalisht kjo pagë ndahet në fundvit, ai sqaroi se një nga vendimet e para të kabinetit të ri do të jetë procedimi i saj që në fillim të vitit, sapo të miratohet buxheti. Sipas tij, dinamika e realizimit të kësaj pagese do të varet drejtpërdrejt nga koha e formimit të qeverisë së re.

Gjatë bisedës, Kurti reflektoi edhe mbi arritjet e deritanishme, duke theksuar se gjatë mandatit të tij pagat në administratën shtetërore janë rritur mesatarisht me 47%. Ai vuri në dukje se suksesi kryesor mbetet ngushtimi i hendekut të pabarazisë, duke e sjellë raportin e pagave nga 20 me 1 në 4 me 1.

“Me Ligjin e ri të Buxhetit 2026, kemi planifikuar pagën e 13-të për çdo shërbyes publik. Praktikisht, kush punon 12 muaj, do të paguhet për 13. Edhe pse dhjetori është periudha e zakonshme, unë synoj që ky të jetë një nga pesë vendimet e mia të para për ta ekzekutuar në fillim të vitit. Sa më shpejt të konstituohet qeveria, aq më shpejt do të jetë kjo pagë në llogaritë e punonjësve,” deklaroi Kurti, duke shtuar se shkurtit është muaji më i mundshëm për formimin e ekzekutivit të ri.

Sa i përket sektorit të energjisë, Kurti njoftoi se qëndrimi zyrtar i qeverisë për tarifat do të qartësohet në pranverë, duke respektuar autonominë e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Ai kritikoi sërish procesin e kaluar të privatizimit të rrjetit të shpërndarjes, duke e cilësuar si të dëmshëm për vendin.

Si masë imediate, ai premtoi një pako mbështetëse prej 200 milionë eurosh për kategoritë më të prekura nga inflacioni, si pensionistët, fëmijët, studentët dhe punëtorët e sektorit privat. Paralelisht, do të rikthehet skema e shpërblimit për kursimin e energjisë dhe do të investohen 150 milionë euro në efiçiencë. Planet afatmesme përfshijnë dyfishimin e kogjenerimit, energjinë solare dhe gazifikimin e linjitit për të siguruar stabilitet energjetik. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme