Tradhtia e “El Pollo”: Ish-shefi i inteligjencës që mban në dorë çelësat e dënimit për Maduron dhe gruan e tij

1 minute, 56 seconds Read

Një ish-gjeneral dhe ish-drejtor i shërbimeve sekrete të Venezuelës, besnik i dikurshëm i ish-Presidentit Hugo Chavez, është deklaruar së fundmi fajtor në Shtetet e Bashkuara për akuza të rënda të trafikimit të drogës dhe narko-terrorizmit. Hugo Armando Carvajal Barrios, i njohur gjerësisht me nofkën “El Pollo”, sipas gazetës amerikane “Newsweek”, konsiderohet tashmë dëshmitari kyç i gatshëm për të dhënë dëshmi vendimtare në gjyqin kundër Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij.

Dikur krahu i djathtë dhe njeriu i besuar i Chavez-it dhe pasardhësit të tij Maduro, “El Pollo” është shndërruar në akuzuesin kryesor të sistemit që ai vetë ndihmoi të ndërtohej. Kjo kthesë nuk buron nga ndonjë pendim i sinqertë, por si një lëvizje strategjike për të përfituar ulje dënimi dhe benefite personale nga drejtësia amerikane.

I lindur në vitin 1960 në Puerto La Cruz, Carvajal Barrios pati një ngjitje të shpejtë në radhët ushtarake. Në vitin 1992, ai ishte ndër mbështetësit kryesorë të grusht shtetit të dështuar të Hugo Chavez-it, akt që u kushtoi të dyve burgimin, por që krijoi një lidhje të pathyeshme mes tyre. Pas triumfit elektoral të vitit 1998, Chavez e emëroi atë në krye të shërbimit sekret venezuelian.

Sipas Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, gjatë këtij roli, “El Pollo” menaxhoi një rrjet masiv të trafikimit të armëve dhe drogës, duke bashkëpunuar me “Cartel de Los Soles” dhe grupin kolumbian “FARC”. Hetuesit specifikojnë se ai mori pjesë direkt në transportin e 5.5 tonëve kokainë drejt territorit amerikan.

Edhe pas vdekjes së Chavez-it në vitin 2013, pozita e tij mbeti e paprekur, duke u bërë kongresmen pro-Maduros. Pika e kthesës erdhi në vitin 2019, kur në mes të krizës ekonomike, ai braktisi regjimin. Maduro e shpalli tradhtar, ndërsa SHBA-ja lëshoi urdhër-arresti. Pas arrestimit në Spanjë dhe ekstradimit në vitin 2023, ai u përball me të njëjtat akuza që rëndojnë sot mbi Maduron.

Më 25 qershor 2025, Carvajal Barrios pranoi fajësinë. Megjithatë, dënimi i tij nuk është ratifikuar ende, pasi besohet se ai po negocion një marrëveshje të re që përfshin dëshminë e tij shkatërruese kundër ish-eprorit të tij./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme