Kina dhe Franca godasin diplomacinë e Uashingtonit: Kapja e Maduros cilësohet si akt agresioni dhe shkelje e sovranitetit

1 minute, 18 seconds Read

Ndërhyrja ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë ka provokuar valë të forta reagimesh në arenën ndërkombëtare, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi stabilitetin gjeopolitik.

Përmes një deklarate zyrtare të Ministrisë së Jashtme, Kina ka dënuar ashpër operacionin amerikan, duke e cilësuar atë si një përdorim flagrant të forcës kundër një shteti sovran. “Kina është thellësisht e tronditur dhe dënon fuqimisht përdorimin e forcës nga SHBA-ja kundër një shteti sovran dhe veprimet e ndërmarra ndaj presidentit të tij, Nicolás Maduro,” deklaroi zëdhënësi i ministrisë përmes një njoftimi në rrjetin social ‘X’.

Sipas Pekinit, këto “akte hegjemonike” shkelin rëndë të drejtën ndërkombëtare dhe kërcënojnë sigurinë në Amerikën Latine dhe rajonin e Karaibeve. Kina i ka bërë thirrje Uashingtonit të respektojë Kartën e OKB-së dhe të ndalojë cenimin e sovranitetit të vendeve të tjera.

Në të njëjtën linjë kritike është rreshtuar edhe Ministria e Jashtme e Francës. Parisi zyrtar e cilësoi heqjen e Maduros nga pushteti si një “akt serioz agresioni” kundër dinjitetit të popullit venezuelian. Sipas diplomacisë franceze, arrestimi i tij shkel parimin bazë të mos-përdorimit të forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Franca ritheksoi qëndrimin e saj se asnjë zgjidhje politike nuk mund t’i imponohet Venezuelës nga jashtë, pasi vetëm populli i saj ka të drejtën të përcaktojë të ardhmen e vet./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme