Nga miti i ndryshimit te frika e rikthimit: Pse Kurti mbetet zgjedhja e votuesve?

7 minutes, 27 seconds Read
Banner Description

Në shikim të parë, skena politike në Kosovë ngjan me një paradoks: një qeveri mund të përballet me probleme të vazhdueshme në energji, me rezultate shqetësuese në arsim, me probleme të mëdha në shëndetësi dhe me reforma të ngadalta në drejtësi — e prapë të mos e humbë, madje të shtoj votën e saj dhe të ruajë një bërthamë entuziazmi elektoral që rrallë lëkundet. Në demokraci të tjera, këto do të ishin arsye të mjaftueshme për “dënim” me votë. Në Kosovë, për një pjesë të madhe të elektoratit, logjika klasike e llogaridhënies ka një rival shumë të fortë: emocionin e akumuluar, kujtesën e hidhur dhe frikën nga rikthimi i së kaluarës.

Kjo nuk do të thotë se qytetari kosovar është “i verbër” ndaj problemeve. Përkundrazi, shumica i sheh dhe i ndjen çdo ditë. Por pyetja e vërtetë është tjetër: pse ato probleme nuk shndërrohen automatikisht në penalizim politik? Pse, edhe kur realiteti nuk përputhet me pritjet, Albin Kurti vazhdon të perceptohet si “zgjidhja më e sigurt” për shumicën e qytetarëve?

Për t’u përgjigjur kësaj pyetje, nuk mjafton të flasim vetëm për politika publike, numra e raporte. Duhet të futemi në psikologjinë e votës. Dhe këtu na ndihmon një ide e ashtuquajtur e ‘ekonomisë biheviorale’, e lidhur me laureatin e çmimit nobel në ekonomi, Richard Thaler: njerëzit nuk vendosin si kalkulatorë, por si qenie emocionale, që shpesh mbeten peng i asaj që quhet “Kurthi i kostos së shkuar” (Sunk Cost Fallacy).

Teoria e Thaler: Ne nuk jemi “qenie matematikore”

Thaler e sfidoi mitin e vjetër se njerëzit marrin vendime politike apo ekonomike vetëm mbi bazën e interesit racional dhe të ardhmes. Në jetën reale, vendimmarrja është e mbushur me psikologji: me krenari, frikë, turp, shpresë, mllef, nevojë për drejtësi dhe, sidomos, me ndjesinë se “nuk mund ta pranoj që u gabova”.

Kur “kostoja e shkuar” është e vogël, njeriu e ndryshon mendjen më lehtë. Por kur kostoja është e madhe — jo në para, por në jetë, në dinjitet, në vite të humbura — atëherë prirja është të vazhdohet me të njëjtin investim, edhe kur rezultati nuk është i kënaqshëm. Kjo ndodh sepse prapa vendimit nuk qëndron vetëm pyetja “çfarë fitoj?”, por pyetja më e frikshme: “Po nëse krejt kjo shpresë ka qenë e kotë?”

Në kontekstin e Kosovës, populli nuk ka investuar thjesht votë. Ka investuar një ngarkesë të madhe emocionale dhe historike: dy dekada pritje për shtet funksional, zhgënjim me korrupsionin, me nepotizmin, me pazaret politike, me afera që u bënë simbol i një epoke ku shumëkush ndjeu se shteti u shndërrua në pronë private të të mëdhënjeve të partive. Termat si Pronto, “karrige në kuvende”, punësime familjare, tenderë të dyshimtë dhe arrogancë pushteti u bënë pjesë e kujtesës kolektive, jo thjesht si lajme, por si përjetim.

Kështu, kur erdhi Vetëvendosja dhe Kurti, për shumë njerëz nuk ishte thjesht një alternativë qeverisëse. Ishte një shkëputje morale: një premtim se “kësaj here po e bëjmë ndryshe”.

Spiranca psikologjike: trauma e së kaluarës si standard krahasimi

Këtu hyn koncepti tjetër vendimtar: spiranca psikologjike. Votuesi sot nuk e gjykon Albin Kurtin përballë një ideali teorik të performancës, as përballë standardeve të vendeve të pasura. Ai e gjykon përballë kujtesës së asaj që ka përjetuar më herët. Kjo do të thotë se krahasimi real në mendjen e shumë qytetarëve është: “A jemi më mirë se atëherë kur pushteti dukej i kapur?”, “A po duket më pak i korruptuar?”, “A po duket më i drejtë?”, “A po ulet ndikimi i ‘të paprekshmëve’?”

Edhe kur arsimi nuk ecën sa duhet, edhe kur shëndetësia mbetet me probleme, edhe kur energjia kthehet në krizë të madhe, pjesa më e madhe e elektoratit vazhdon të mendojë: “Të paktën nuk janë ata.” Kjo fjali e thjeshtë është mekanizëm psikologjik, jo program qeverisës. Por në politikë, mekanizmat psikologjikë shpesh peshojnë më shumë se dokumentet strategjike.

Pranimi i dështimeve të Kurtit, për një pjesë të qytetarëve, do të nënkuptonte diçka shumë më të rëndë se një kritikë qeveritare. Do të nënkuptonte një vetëpranim: “E kam hedhur votën kot”, “Kam besuar në një ndryshim që s’erdhi”, “Kam luftuar me shpresë, por prapë s’po bëhet”. Dhe ky pranim është emocionalisht i shtrenjtë.

Votuesi Kosovar, siç shihet edhe nga vota, e duron më lehtë një problem në sistem sesa një zhgënjim në ideal. Sepse problemi mund të justifikohet, por zhgënjimi e rrëzon identitetin e votës.

Kur vota bëhet identitet dhe Kurti bëhet simbol

Në Kosovë, për shumë qytetarë, Kurti nuk është thjesht kryeministër. Ai është simbol: i rezistencës, i “mosnënshtrimit”, i një gjuhe politike që nuk kërkon falje para të fortëve, i një narrative ku populli është “kundër kastës – oligarkëve”. Kjo e kthen votën nga instrument në identitet. Dhe kur vota bëhet identitet, kritika ndaj liderit tingëllon si kritikë ndaj vetes.

Kjo është arsyeja pse një pjesë e debatit publik nuk ecën me argumente. Sepse argumentet flasin për menaxhim, ndërsa identiteti flet për dinjitet. Njëra palë thotë “PISA, energjia, drejtesia, shëndetësia”, tjetra përgjigjet “po korrupsioni, po kapja e shtetit, po hajnat e vjetër”. Janë dy gjuhë të ndryshme, dy standarde krahasimi, dy botë të kundërta.

Diaspora dhe media: ruajtësit e “investimit”

Ky ekuilibër psikologjik ushqehet fuqishëm nga dy pole që kanë ndikim real në opinion: Diaspora dhe Mediat.

Diaspora shpesh e sheh Kosovën nga distanca. Jo sepse nuk e do vendin, por sepse nuk e përjeton çdo ditë stresin institucional, radhët, pritjet, ndërprerjet e energjisë apo frustrimet e administratës. Nga jashtë, Kurti duket më i pastër, më dinjitoz, më larg pazareve dhe korrupsionit. Për shumë mërgimtarë, ai mishëron idenë se Kosova më në fund ka një lider që nuk e ul kokën dhe nuk e shndërron shtetin në plaçkë. Në këtë mënyrë, diaspora bëhet një “bankë” që e mban të fuqishëm investimin simbolik.

Mediat, nga ana tjetër, shpesh e riaktivizojnë traumën e së shkuarës, edhe kur synojnë vetëm raportim, madje edhe kur kritikojnë Kurtin dhe partinë që ai e udhëheq, Lëvizjen Vetëvendosje. Sa herë rikthehen figurat e vjetra, sa herë në studio dalin protagonistë të epokës së aferave, sa herë ringjallen beteja të vjetra politike, në psikologjinë e votuesit ndodh një refleks: “Ja, po kthehen prapë.” Dhe në atë moment, Kurti shndërrohet në mburojë — jo për shkak të performancës, por për shkak të frikës nga kthimi tek e kaluara!.

Në termat e Thaler, kjo është mënyra si ruhet “investimi i shkuar”: për ta mos pranuar humbjen, individi kërkon prova që zgjedhja e tij ishte ende e domosdoshme.

Beteja mes logjikës dhe emocionit

Këtu qëndron thelbi i këtij editoriali: vota për Vetëvendosjen, për një pjesë të elektoratit, nuk është më llogari për të ardhmen, por mbrojtje nga e kaluara. Kosova po e përdor të tashmen e Kurtit për të shëruar plagën e dy dekadave zhgënjim. E kur vota shërben si terapi politike, standardi i vlerësimit ndryshon.

Prandaj, edhe kur faktet flasin për stagnim në fusha kyçe, ai entuziazëm nuk bie si në librat e teorisë demokratike. Sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me qeverisje; kemi të bëjmë me një konflikt të brendshëm të shoqërisë mes dy frikërave:

  • frikës se “nuk po ecim përpara sa duhet”, dhe
  • frikës edhe më të madhe se “mos po kthehemi prapa te ata”.

Përderisa frika e dytë mbetet më e fortë se frustrimi i parë, Kurti do të vazhdojë të jetë politikisht i pathyeshëm. Jo sepse është i pagabueshëm. Por sepse për shumë qytetarë ai është spiranca që i mbron nga pranimi i dhimbshëm se ndryshimi është më i vështirë, më i ngadalshëm dhe më kompleks sesa u premtua nga Kurti pesë vite më parë.

Dhe kjo është arsyeja pse në Kosovë ndodh një gjë që shpesh i huton analistët: dështimi teknik nuk e rrëzon domosdoshmërisht pushtetin. Sepse përballë dështimit teknik qëndron një investim emocional shumë më i madh — investimi i shpresës./lajmishqip.net

Editorial i shkruar nga Lajmishqip.net!

Publikime te ngjashme