Të dhënat më të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka kaluar pragun prej 50%, duke arritur në 50.24% të votave, në kohën kur janë numëruar 1,576 nga 2,557 vendvotime (rreth 61.63%). Ky përditësim e konfirmon trendin rritës të VV-së gjatë gjithë mbrëmjes së numërimit dhe e forcon ndjeshëm avantazhin e saj ndaj subjekteve tjera.
Sipas rezultateve preliminare në këtë fazë, PDK renditet e dyta me 20.00%, ndërsa LDK mban vendin e tretë me 14.16%. AAK figuron me 6.57%, Lista Serbe me 3.10%, ndërsa Nisma me 1.56%. Deri tani, në sistem janë përpunuar rreth 528,655 vota, me përditësime të vazhdueshme nga Qendrat e Numërimit.
KQZ rikujton se bëhet fjalë për rezultate preliminare, të cilat mund të ndryshojnë me vazhdimin e numërimit dhe përfshirjen e të dhënave nga vendvotimet e mbetura./lajmishqip.net

