Alarm në Taipei: sulm me thikë dhe bomba tymi lë 4 të vdekur, policia: “Veproi i vetëm”

1 minute, 18 seconds Read
Banner Description

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin e Tajvanit, Taipei, ku një sulm me thikë i shoqëruar me hedhje të bombave tymuese la pas katër viktima, përfshirë edhe vetë sulmuesin. Sipas autoriteteve, i dyshuari – Chang Wen, 27 vjeç, nga qyteti verior Taoyuan – veproi i vetëm dhe nuk është gjetur asnjë provë për bashkëpunëtorë.

Policia bëri të ditur se i riu humbi jetën pasi ra nga një ndërtesë gjatë ndjekjes, të premten mbrëma, në një zonë të mbushur me njerëz në qendër të Taipeit. Hetimet për motivin po vazhdojnë, ndërsa drejtori i Agjencisë Kombëtare të Policisë deklaroi se verifikimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë asnjë të dyshuar tjetër.

Sipas të dhënave zyrtare, 11 persona u plagosën, dy prej tyre në gjendje të rëndë në kujdes intensiv. Autoritetet thonë se sulmuesi fillimisht lëshoi bomba tymuese në stacionin kryesor të trenit në Taipei dhe më pas u drejtua për në një qendër tregtare pranë një stacioni metroje, duke sulmuar kalimtarët gjatë rrugës dhe brenda objektit.

Kryeministri Cho Jung-tai deklaroi se personi ishte në kërkim me urdhër-arresti, i dyshuar për shmangie të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Për shkak se krimi i dhunshëm konsiderohet relativisht i rrallë në Tajvan, prania policore është shtuar në të gjithë ishullin, veçanërisht në zonat tregtare të kryeqytetit. Presidenti Lai Ching-te vizitoi të plagosurit dhe paralajmëroi masa për reagim më të shpejtë në emergjenca./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme