Gjykata Supreme e Kosovës i ka dhënë të drejtë ankesës së ushtruar nga u.d. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, duke e shpallur të kundërligjshëm dhe duke e anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës të datës 20 nëntor 2025. Çështja tashmë i është kthyer sërish KPK-së për rishqyrtim dhe vendimmarrje të re.
Në aktgjykimin e saj, Supremja ka konstatuar se ankesa e Kelmendit ishte plotësisht e bazuar, duke u mbështetur në nenin 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Sipas Gjykatës Supreme, arsyetimi për shkarkim bazohej në pretendimin se u.d. Kryeprokurori, përmes deklaratave në Këshill dhe media, kishte mbajtur qëndrime të njëanshme që cenonin imazhin e tij dhe besimin në sistemin prokurorial. Megjithatë, Gjykata vlerësoi se këto pretendime nuk e përligjin vendimin e KPK-së dhe se ai ishte marrë në kundërshtim flagrant me dispozitat ligjore dhe Kodin e Etikës Profesionale.
“Vendimi i atakuar është cilësuar si i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pabazë, madje kontradiktor në vetvete sa i përket bazës ligjore, duke krijuar pasiguri se si një organ i tillë merr vendime pa mbështetje specifike ligjore. E gjithë procedura, nga rendi i ditës, votimi e deri te vendimi final për shkarkim, është vlerësuar si proces i pa mbështetur në ligj,” thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.
Ky verdikt i Gjykatës Supreme e kthen lëndën në pikën zero tek KPK-ja, duke lënë të hapur mundësinë për një vendimmarrje të re, por në përputhje me ligjin.
Kelmendi u shkarkua më 20 nëntor me vetëm pesë vota pro, ndonëse KPK-ja numëron dhjetë anëtarë, një vendim që pasoi dëshminë e tij lidhur me masakrën e Reçakut, ku ai kishte mohuar kategorikisht raportimet se kishte qenë bashkëpunëtor i gjyqtares hetuese të rastit./lajmishqip.net
