Bashkimi Evropian ka vendosur zyrtarisht të heqë pjesërisht masat ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës, duke i hapur rrugë investimeve strategjike që kapin vlerën e dhjetëra milionë eurove.
Ky vendim u konfirmua përmes një shkrese zyrtare që Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim në BE, Gert Jan Koopman, i ka dërguar zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi. Në letër saktësohet se Komisioni Evropian do të zhbllokojë masat që lidhen me programimin e fondeve dhe kontraktimin e projekteve prioritare.
Koopman theksoi se procesi i heqjes graduale të masave ka nisur që në maj, si reagim ndaj hapave për shtensionimin e situatës në veri. Ai vlerësoi pozitivisht transferimin e qetë të pushtetit lokal pas zgjedhjeve dhe largimin e policisë nga objektet komunale.
Bazuar në këto zhvillime dhe në përputhje me Komunikimin për Zgjerimin 2025, Brukseli ka autorizuar heqjen e mëtejme të masave, duke ftuar Kosovën të dorëzojë sa më parë propozimet për financimin IPA 2026–2027.
Lajmi i madh lidhet me zhbllokimin e katër projekteve kyçe. Është autorizuar kontrata prej 17.6 milionë eurosh për impiantin e ngrohjes qendrore në Prishtinë (me Bankën Evropiane të Investimeve) dhe 12 milionë euro për trajtimin e ujërave të ndotura në Termocentralin Kosova B (me UNOPS).
Gjithashtu, përfitojnë edhe arsimi e mjedisi: 3 milionë euro shkojnë për skemën e bursave “Young Cell” dhe 2 milionë euro për menaxhimin e deponive (me Bankën Gjermane për Zhvillim). Kujtojmë se masat ishin vendosur në qershor 2023 pas tensioneve në veri. /lajmishqip.net


