Avokati i njohur serb, Çedomir Stojkoviq, ka theksuar se po dalin gjithnjë e më shumë prova që e lidhin presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me aktivitetin famëkeq të njohur si “Snajper Safari” gjatë rrethimit të Sarajevës në periudhën 1992-1995.
Stojkoviq ka publikuar në rrjetet sociale foto dhe shkrime të asaj kohe, ku vetë Vuçiq pranonte se kishte shkuar si vullnetar në Sarajevë.
Sipas deklaratës së tij të cituar: “Kur nisi lufta në Bosnjë, unë shkova në pjesën serbe të Sarajevës dhe u paraqita si vullnetar. Nuk kam qenë anëtar i asnjë partie, thjesht shkova vetë. Kam qenë një kohë në Varrezat hebraike.”
Avokati shton se burime të tjera, përfshirë deklaratat e politikanit Vojislav Sheshel gjatë gjykimit në Hagë, konfirmojnë se Vuçiq kishte qenë pjesë e një njësie nën komandën e Slavko Aleksiq në të njëjtin sektor.
Gjatë luftës, raportohet se “Snajper Safari” përfshinte përdorimin e snajperëve kundër civilëve të paarmatosur, duke përfshirë edhe të huajt që shoqëroheshin në pozicionet e kodrave të Sarajevës.
Deklaratat dhe dokumentet e publikuara nga Stojkoviq synojnë të vënë në dukje lidhjen e mundshme të Vuçiqit me këto aktivitete kriminale, ndërsa hetime dhe shqyrtime të mëtejshme janë duke u kryer nga autoritetet përkatëse dhe media ndërkombëtare.
Sipas padisë së paraqitur në Milano nga gazetari Ezio Gavazzeni, persona të pasur paguanin për të vrarë civilë të pambrojtur nga pozicionet serbe në kodrat përreth Sarajevës.
Përfshirja në këtë praktikë konsiderohet si vrasje e mirëfilltë, ndërsa tarifa për secilin civil të qëlluar varionte deri në 100 mijë euro.
Më shumë se 11 mijë njerëz vdiqën gjatë rrethimit të Sarajevës që zgjati gati katër vite, ndërsa qyteti u përball me granatime dhe zjarre snajperësh të pandërprera nga forcat serbe.
Prokuroria italiane, nën drejtimin e prokurorit të antiterrorizmit Alessandro Gobbis, po shqyrton dëshmitë dhe raportet, përfshirë edhe një raport nga ish-kryetarja e Bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariq.
Gazetari Gavazzeni deklaron se të paktën njëqind persona morën pjesë në këto “turne” vrasjesh me snajper.
Në këtë kontekst, edhe shkrimtari dhe politikani rus Eduard Limonov u filmua duke qëlluar nga pozicionet serbe, nën drejtimin e Radovan Karaxhiqit, i cili më vonë u dënua për gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
Hetimet në Itali vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të identifikojnë të gjithë të përfshirët dhe dëshmitarët e mundshëm të këtyre ngjarjeve tragjike./lajmishqip.net
