Paradoksi i protestave në Serbi: Si u bë thirrja shoviniste “Shiptar” armë kundër Vuçiqit

3 minutes, 35 seconds Read

Nga akuzat për korrupsion, deri te përdorimi i emërtimeve poshtëruese për një popull të tërë.

Parullat me të cilat protestuesit në Serbi, tash e një vit, kërkojnë përgjegjësi nga pushteti për shembjen e çatisë në Novi Sad, po shoqërohen edhe me brohoritje shoviniste.

Ndonëse të drejtuara ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, ato realisht fyejnë popullin shqiptar – duke përdorur termin identik që shfrytëzon vetë pushteti në përplasjet me udhëheqësit kosovarë dhe kritikët e brendshëm.

“Ndiej zhgënjim kur dëgjoj thirrje fyese nga të dyja palët, e ky zhgënjim thellohet kur mungon distancimi nga një gjuhë e tillë”, deklaron për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) sociologu nga Presheva, Altin Boriqi.

Në këtë komunë në jug të Serbisë jeton shumica shqiptare. Me rreth 60 mijë banorë, shqiptarët atje përbëjnë pakicën e katërt kombëtare më të madhe në vend.

“Ata nuk figurojnë në asnjë program apo fjalim publik, nuk janë pjesë e itinerareve të ‘Serbisë studentore’ apo rrugëve të pajtimit, por përmenden ekskluzivisht në thirrje poshtëruese”, thotë për REL-in shkrimtari Dejan Atanackoviq.

Çfarë saktësisht brohoritet në protesta?

Repertori varion nga “Duart tuaja janë me gjak”, te parullat studentore “Pompo” e “Kush nuk kërcen, është i Qeverisë”, e deri tek ato “Aco, hajdut!” dhe “Shiptar!” drejtuar presidentit serb.

Studentët, që udhëheqin protestat masive kundër Qeverisë që pas aksidentit në Novi Sad, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it rreth thirrjeve që fyejnë kombet dhe pakicat.

Ngjashëm me çështjen e Kosovës, ata nuk shfaqin një qëndrim të unifikuar.

“Unë personalisht brohoras vetëm për temat lidhur me kërkesat tona, ku kryesorja tani është: Shpallni zgjedhje. Nuk më pëlqen parulla ‘Aco, Shiptar’, sepse fyen pakicat; më mirë të brohoritej diçka më konstruktive”, thotë për REL-in Millani, student i Biologjisë në Beograd.

Nga ana tjetër, Ivani, student i Shkencave Politike, pohon se nuk ka problem me mesazhet drejtuar presidentit.

“Është metaforë, sepse ai e ka shitur Kosovën. Nuk është fyerje për popullin shqiptar, sepse ata vetë e quajnë veten ‘Shqiptar’ në gjuhën e tyre”, tha ai.

Megjithatë, ndonëse shqiptarët e identifikojnë veten si “Shqiptar”, termi “Shiptar” në gjuhën serbe ka konotacion fyes dhe përçon mesazh negativ.

Përmes kësaj parulle fyese, një pjesë e protestuesve shprehin qëndrimin e tyre ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Unë brohoras ‘E ke tradhtuar Kosovën e Metohinë’, dhe sigurisht ‘Aco, Shiptar’, sepse Vuçiq bashkëpunon me ta dhe shihet se është më i keq se [kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin] Kurti”, thotë për REL-in, Jovani nga Beogradi.

Milica e pranon se “kupton që këto thirrje mund të nxisin urrejtje ndaj komunitetit shqiptar”.

“Por, shpresoj të mos jetë kështu, sepse i drejtohet vetëm Vuçiqit, i cili hiqet si mbrojtës i madh i serbëve, ndërkohë që po shet gjithçka serbe”.

Dragan nga Beogradi vlerëson se fyerjet nuk kanë vend në protestat kundër pushtetit.

“Ka mjaft parulla të mençura dhe me humor, këto nuk janë aspak të nevojshme”, thotë ai.

Normalizimi i gjuhës së urrejtjes

Parullat shoviniste rrallëherë pasohen nga dënime publike.

Apelime që të mos fyhen shqiptarët dhe anëtarët e komunitetit LGBTI (lesbike, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë, e tjera) kanë ardhur nga rrjetet sociale – nga deputeti opozitar i Frontit të Gjelbër të Majtë, Radomir Lazoviq, dhe nga grupe qytetare të iniciuara nga lëvizja studentore, shkruan REL.

“Disa nga këto parulla përngjajnë me propagandën e viteve ’90, e cila çoi në luftëra, krime e shkatërrime që sollën fatkeqësi për miliona njerëz”, citohet në faqen e një grupi qytetar të komunës Stari Grad në Beograd.

Të njëjtin term fyes për shqiptarët e përdor vazhdimisht edhe pushteti, edhe mediat proqeveritare.

Ish-ministri dhe ish-shefi i agjencisë së inteligjencës, Aleksandar Vulin, e ka përdorur atë shpesh publikisht, njësoj si edhe përfaqësues të tjerë të lartë të pushtetit./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme