Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, ka komentuar raportimet e mediave ndërkombëtare rreth “Safarit të Snajperëve” – vrasjeve rekreative në Sarajevë gjatë rrethimit (1992-96), organizuar nga njësitë e Radovan Karaxhiqit e Ratko Mlladiqit, çështje për të cilën prokuroria italiane ka nisur hetime.
Stojkoviq ka publikuar pamje të Aleksandar Vuçiqit nga ajo periudhë, ku ai shihet duke mbajtur një armë (që përshkruhet si pushkë ose snajper) teksa lëvizte në kodrat nga ku u vranë civilë të Sarajevës.
Ministri i Mbrojtjes i Bosnjë-Hercegovinës, Zika Helez, deklaroi vitin e kaluar se Vuçiq ka gjuajtur me snajper mbi civilët në Sarajevë.
“Pavarësisht provave intensive, Prokuroria në Beograd hesht, ndonëse mediat botërore shkruajnë se ‘Safari i Snajperëve’ morbid organizohej për vrasës që vinin në Beograd e më pas, përmes ushtrisë serbe, gjuanin ‘rekreativisht’ nga kodrat e Sarajevës për një tarifë (ekuivalente sot) 100.000 euro”, shkruan Stojkoviq.
Arma që Vuçiq mbante në kodrat rreth Sarajevës ngjason dukshëm me një version të pushkës snajper, gjë që, sipas avokatit serb, ngre pyetje mbi arsyet pse prokuroria në Serbi nuk po reagon ndaj kësaj teme.
Ndërkohë, Zyra e Prokurorit Publik në Milano ka konfirmuar hapjen e hetimeve mbi “Safarin e Snajperëve” gjatë luftës së fillimviteve ’90.
Padia në Milano u iniciua nga gazetari Ezio Gavazzeni, i cili përshkruan një “gjueti njerëzish” nga “persona shumë të pasur” dhe me pasion armësh, të cilët “paguanin për të vrarë civilë të pambrojtur” nga pozicionet serbe rreth Sarajevës.
Sipas raportimeve, tarifat varionin nëse shënjestra ishin burra, gra apo fëmijë; mbi 11 mijë persona vdiqën gjatë rrethimit brutal katërvjeçar të kryeqytetit boshnjak.
Edhe pse akuza për “gjuetarë njerëzish” të huaj janë shfaqur ndër vite, provat e Gavazzenit, përfshirë dëshminë e një oficeri të inteligjencës ushtarake boshnjake, tani po shqyrtohen nga prokurori italian i antiterrorizmit, Alessandro Gobbis, nën akuzën për vrasje.
Gavazzeni thelloi hetimet dhe në shkurt u dorëzoi prokurorëve një dosje prej 17 faqesh, e cila thuhet se përmban edhe një raport nga ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariq.
Në vitin 1992, nacionalisti i ndjerë rus Eduard Limonov u filmua duke gjuajtur me mitraloz të rëndë drejt Sarajevës, gjatë një “ture” në pozicionet serbe i shoqëruar nga Radovan Karaxhiq, i dënuar më vonë në Hagë për gjenocid.
Prokurorët dhe policia italiane raportohet se kanë identifikuar një listë dëshmitarësh në përpjekje për të përcaktuar se kush saktësisht mund të ketë qenë i përfshirë në këto akte./lajmishqip.net
