Gavel And Scales Of Justice On Desk In Law Office

Pagesa për punë të pakryera: Aktakuzë për dy zyrtarë për projektin e lapidarëve në Suharekë

1 minute, 26 seconds Read

Prokuroria Themelore në Prizren (Departamenti i Krimeve të Rënda) ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve A.E. dhe L.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se këta të fundit, në cilësi të personave zyrtarë, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, nga 20.10.2023 e tutje, të pandehurit lidhur me projektin për ndërtimin e lapidarëve në Studenqan, Vraniq dhe Dubravë, dyshohet se duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, tejkaluan kompetencat dhe nuk përmbushën detyrat, ashtu që A.E. (menaxher kontrate) urdhëroi operatorin ekonomik të ndryshojë projektin e të realizojë punë jashtë tij gjatë ekzekutimit, duke anashkaluar zyrën e prokurimit dhe autoritetin kontraktues, ndërsa L.G. (mbikëqyrëse e drejtpërdrejtë), i pranoi këto shkelje me qëllim që t’i mundësonte përfitim operatorit ekonomik, duke konfirmuar me nënshkrim të dhënat e pavërteta për pagesën prej 41.270.00 € dhe për përfundimin e punimeve më 22.12.2023 në vlerë 7.377.20 €, edhe pse nuk ishte realizuar asnjë punim në lapidarin e Studenqanit, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.

Sipas njoftimit, me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë e të dënohen sipas ligjit, si dhe ndaj tyre të shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme