Të enjten paradite, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ka nisur punën komisioni i themeluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili do të vlerësojë fletëvotimet e zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut.
Themelimi i këtij komisioni nga KQZ-ja erdhi pasi gjatë procesit të verifikimit të rezultateve në Qendrën Komunale të Numërimit në këtë komunë, u hasën fletëvotime kodi i të cilave nuk përputhej me vendvotimin të cilit duhej t’i përkisnin.
Kjo situatë ka ngritur dyshime dhe dilema të mëdha rreth integritetit të procesit zgjedhor në këtë komunë, i cili u mbajt ditën e diel, më 9 nëntor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për KosovaPress fillimin e punës së këtij komisioni.
“Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar punën Komisioni i themeluar nga KQZ për vlerësimin e fletëvotimeve për zgjedhjet e raundit të dytë për Kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës. Planifikohet që ky Komision të përgatisë një raport dhe të njëjtin ta dorëzojë jo më vonë se 14 nëntor. Ndërkaq, për komunat tjera ky vlerësim do të bëhet sipas mostrës së caktuar dhe raporti do të finalizohet deri në fund të javës”, tha Elezi.
Elezi shtoi se puna e këtij komisioni do të jetë edhe në funksion të përgjigjes së kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Në këtë institucion, Partia Demokratike e Kosovës, e cila ishte në garë me Lëvizjen Vetëvendosje, ka paraqitur ankesë dhe ka kërkuar rivotim, me arsyetimin se është cenuar rëndë integriteti i procesit zgjedhor.
“Po ashtu, puna e këtij komisioni do të jetë në funksion të përgjigjes së kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesën e parashtruar në këtë institucion për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, por njëkohësisht edhe të sqarimit të mëtutjeshëm të situatës së krijuar”, tha Elezi.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka afat që të vendosë për ankesën e PDK-së deri në fundjavë./lajmishqip.net
