Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të raundit të balotazhit, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe aktivistët e partisë për angazhimin e tyre.
Në një postim në rrjete sociale, Kurti u shpreh mirënjohës ndaj qytetarëve që morën pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e kërkimit të përgjegjësisë nga përfaqësuesit e zgjedhur.
“Ju falemnderit për pjesëmarrje… Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë… Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra,” shkroi ai.
Kryeministri në detyrë falënderoi po ashtu aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se partia tani do të qeverisë në shtatë komuna, “më shumë se kurdoherë më parë”.
Ai potencoi se ky rezultat u arrit pavarësisht unifikimit të forcave kundërshtare. “Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin,” u shpreh Kurti.
Ai shtoi se Vetëvendosjen e presin “shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore”./lajmishqip.net
