Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka paralajmëruar Bashkimin Evropian për rrezikun që paraqet projekti “Bota Serbe”, të cilin e cilësoi si një version të ri të projektit “Serbia e Madhe”.
Në një deklaratë për agjencinë bullgare BGNES, Radev tha se është koha që institucionet evropiane të marrin më seriozisht këtë çështje, duke theksuar se ajo paraqet rrezik real për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Siç e dini, Ballkani Perëndimor është një pikë kritike për sigurinë, dhe gjithë vëmendja e Bashkimit Evropian duhet të përqendrohet aty,” deklaroi presidenti bullgar, duke iu referuar paralajmërimeve për ndikimin destabilizues të projektit “Bota Serbe”.
Sipas tij, projekti i Beogradit ka për qëllim të kontrollojë shtetet fqinje dhe të zgjerojë ndikimin serb në rajon.
“Bota Serbe është thjesht një emër i ri për projektin ‘Serbia e Madhe’. Synimi i tij është përfshirja ose kontrolli i territoreve nga Bosnja, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përmes ndikimit politik, kulturor dhe fetar,” tha Radev.
Ai shtoi se instrumenti kryesor i Beogradit për realizimin e këtij projekti është Kisha Ortodokse Serbe, e cila përdoret si mjet për ndikim dhe përhapje të narrativës nacionaliste.
Radev u bëri thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian që të ndërmarrin masa të qarta dhe të unifikuara për të frenuar këto tendenca që, sipas tij, mund të minojnë paqen dhe bashkëjetesën në Ballkan./lajmishqip.net
