Sot, më 3 nëntor, nis zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve komunale, e cila do të zgjasë deri në momentin e hapjes së qendrave të votimit, më 9 nëntor, në orën 07:00.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar për Telegrafin se fushata do të zgjasë gjashtë ditë, duke përfunduar me hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve.
“Gjatë periudhës prej 3 deri më 9 nëntor, subjektet politike dhe kandidatët do të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, të miratuar në vitin 2023, fushata përfundon në momentin e hapjes së Qendrave të Votimit. E njëjta gjë si në zgjedhjet e 12 tetorit – dita e shtunë nuk është ditë heshtjeje zgjedhore,” ka sqaruar Elezi.
Ai rikujtoi se ligji ndalon çdo formë pengese, dhune apo kërcënimi ndaj kundërshtarëve politikë.
“Fushata duhet të zhvillohet në mënyrë të qetë, demokratike dhe pa gjuhë urrejtjeje. Çdo subjekt politik duhet të respektojë rregullat dhe garën e ndershme,” theksoi zëdhënësi i KQZ-së.
Gjatë kësaj periudhe, KQZ do të angazhojë monitorues në komuna të ndryshme për të përcjellë nga afër aktivitetet e subjekteve, reklamat dhe materialet promovuese.
Raportet e tyre do të përdoren për krahasim me deklarimet financiare që partitë do të paraqesin pas përfundimit të fushatës.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash do të mbahet në këto komuna:
Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Kjo fushatë zhvillohet në një klimë të ndjeshme politike, pas dështimit të formimit të Qeverisë së re, ndërsa mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare gjatë muajit dhjetor po diskutohet gjithnjë e më shumë në qarqet politike.
/lajmishqip.net
