Deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli, ka reaguar pas arritjes së koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së në Prizren, duke bërë një shkrim simbolik e kritik në rrjetet sociale.
Në një postim në “Facebook”, Avdyli ka komentuar një fotografi nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes, ku prapa Shaqir Totajt (PDK) dhe Driton Selmanajt (LDK) shihet portreti i presidentit historik Ibrahim Rugova.
“Presidenti historik Rugova, sikur po shikon me habi çfarë po nënshkruhet në emër të partisë që dikur e themeloi ai. Sikur nga fotoja, me shikimin e tij po flet shumë,” ka shkruar Avdyli.
Në vijim, deputeti shton se shikimi i ftohtë i Rugovës në atë imazh përçon një mesazh të thellë për gjendjen aktuale të partisë.
“Shikimi i tij nga fotografia ka vetëm një mesazh: Si është e mundur që ata që e udhëheqin sot LDK-në, kanë rënë kaq poshtë? Ku mbetën idealet që dikur kishim ne, themeluesit?”, ka përfunduar Avdyli./lajmishqip.net
