Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka dalë para mediave mbrëmjen e sotme, ku ka pranuar rezultatin zgjedhor dhe humbjen në garën për kryetarë komunash, duke paralajmëruar një analizë të thelluar brenda strukturave të partisë.
Ai njoftoi se BDI do të rinovojë radhët dhe do të rifillojë me energji të re për sfidat e ardhshme, raporton Alsat.
“Rezultatet janë të njohura në mbarë vendin, apo më mirë të thuhet si rezultat i votës kombëtare. Kemi mbi 23 mijë vota më shumë, por nuk arritëm të fitojmë garën për kryetarët e komunave.
Ne e pranojmë këtë rezultat, sepse kemi fituar votën e shumicës dhe besimin e popullit. Humbja e disa pozicioneve është një thirrje për forcim të strukturave dhe **afrim më të madh me qytetarët,” tha Ahmeti.
Lideri i BDI-së theksoi se fitorja morale e partisë përmes epërsisë në votën popullore është një mandat politik që e motivon lëvizjen për t’u rikthyer më të bashkuar dhe më të vendosur.
“Ne do të bëjmë analizë të thelluar, do të rinovojmë radhët tona dhe do të nisim më të fortë, me bindjen e plotë se rruga e barazisë dhe bashkëjetesës është rruga e drejtë,” përfundoi Ahmeti./lajmishqip.net
