Profesori universitar dhe intelektuali i njohur, Hysamedin Feraj, ka reaguar ndaj deklaratës së ish-të burgosurit politik Avni Klinaku, i cili kishte pohuar se Albin Kurti, gjatë qëndrimit në burgun e Nishit, kishte refuzuar të pinte kafe me pjesëtarët e UÇK-së që ishin të burgosur aty, raporton Kosova Post.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Feraj reagoi me tone ironike, duke vënë në dyshim saktësinë e pretendimeve të Klinakut.
“Ndoshta me ty, jo. Të tjerët kanë dëshmuar të kundërtën. Apo po thua se vërtet është njohës i talentuar njerëzish? Po thua se të kishte njohur që atëherë siç je sot?”, ka shkruar Feraj.
Reagimi i profesorit vjen pas debatit të ndezur publik që shkaktoi intervista e Klinakut, ku ai foli për sjelljen e Kurtit gjatë periudhës së burgosjes.
Ky shkëmbim deklaratash ka rikthyer vëmendjen te raportet e vjetra ndërmjet figurave të njohura politike të Kosovës, duke ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe komente të ndara për qëndrimet e tyre./lajmishqip.net
