Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së shtunës fshatin Dobraj e Madhe të Lipjanit, ku një burrë dyshohet se ka tentuar të vrasë dy të mitur duke i goditur me veturë.
Sipas burimeve të sigurta brenda hetimeve, i dyshuari Shpejtim Llugiqi, rreth 41 vjeç, banor i të njëjtit fshat, dyshohet se pas një konflikti verbal me një të mitur ka përdorur automjetin e tij Opel Astra ngjyrë hiri për t’i sulmuar qëllimisht dy fëmijë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, kur Llugiqi fillimisht ishte takuar në rrugë me të miturin V. B., rreth 16 vjeç, të cilit i kishte tërhequr vërejtjen se po bënte zhurmë me motor nëpër fshat, e më pas e kishte goditur me shuplakë në fytyrë.
Pas këtij momenti, sipas hetimeve paraprake, i dyshuari është kthyer me veturë dhe ka goditur qëllimisht të miturin S. M., duke i shkaktuar lëndime trupore.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë hetimore dhe forenzike, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda, rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”.
I dyshuari është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë në Stacionin Policor të Lipjanit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me një vendim të formës së prerë nga gjykata./lajmishqip.net
