Miliona qytetarë amerikanë u janë bashkuar protestave masive “No Kings” (Jo Mbretër), të organizuara anembanë SHBA-së kundër politikave të Presidentit Donald Trump. Vetëm në New York, mijëra njerëz mbushën sheshin ikonik “Times Square”, duke mbajtur pankarta me slogane të fuqishme si “Demokraci jo Monarki” dhe “Kushtetuta nuk është opsionale”.
Në përgjigje të tubimeve, aleatët e Trumpit i akuzuan organizatorët për lidhje me lëvizjen e ekstremit të majtë Antifa, duke i etiketuar protestat si “tubime kundër urrejtjes së Amerikës”. Si masë paraprake, disa shtete amerikane kishin mobilizuar Gardën Kombëtare.
Megjithatë, organizatorët raportuan se ngjarjet ishin tërësisht paqësore, duke vlerësuar pjesëmarrjen në afro shtatë milionë njerëz. Në New York, turma brohoriste vazhdimisht “Kështu duket demokracia”, ndërsa prania e policisë dhe helikopterëve vëzhgonte situatën.
Figura të larta të Partisë Demokratike iu bashkuan protestave. Lideri i pakicës në Senat, Chuck Schumer, deklaroi: “Ne nuk kemi diktatorë në Amerikë dhe nuk do ta lejojmë Trumpin të vazhdojë të gërryejë demokracinë tonë”. Ndërkohë në Uashington, Senatori Bernie Sanders iu adresua turmës duke thënë: “Ne nuk jemi këtu sepse e urrejmë Amerikën, ne jemi këtu sepse e duam Amerikën”.
Valës së protestave iu bashkuan edhe qytete ndërkombëtare. Demonstrata solidariteti u mbajtën në Berlin, Madrid dhe Romë, si dhe jashtë ambasadës amerikane në Londër dhe konsullatës në Toronto./lajmishqip.net