Përplasja verbale mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Edi Rama rreth Gjykatës Speciale ka hyrë në një fazë të re, në prag të protestës gjithëkombëtare që do të mbahet të premten në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, i është kundërpërgjigjur drejtpërdrejt deklaratës së Ramës, i cili akuzoi Lëvizjen se po i përzien marrëdhëniet institucionale në “çorbën e balotazheve”.
Manxhuka deklaroi se kryeministri Rama nuk mund t’u shmanget fakteve me “eskivazhe të padenja”, duke e sfiduar atë që t’u përgjigjet qartë disa pikave kyçe.
Ai i parashtroi publikisht Ramës pyetjet e mëposhtme:
- A keni ardhur me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët që të votojnë pro themelimit të Gjykatës Speciale, duke e shtyrë përpara këtë proces?
- Cili ka qenë historikisht qëndrimi i LVV-së ndaj Speciales – a e ka mbështetur apo e ka kundërshtuar atë vazhdimisht me protesta?
- Në cilat data dhe në cilat organizata ndërkombëtare (OKB, Këshilli i Evropës, OSBE, NATO) keni ngritur ju personalisht shqetësimin për padrejtësinë që po i bëhet Kosovës në Hagë?
Kjo kundërpërgjigje vjen pasi kryeministri Rama sqaroi se, ndonëse e mbështet me gjithë zemër protestën “Drejtësi për Çlirimtarët”, ai nuk do të marrë pjesë për të mos e politizuar nismën. Protesta, e cila do të mbahet të premten në orën 17:00 në sheshin “Skënderbej”, organizohet nga OVL-UÇK, e cila ka njoftuar nisjen e mbi 60 autobusëve nga Kosova./lajmishqip.net