Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhënë në një intervistë në emisionin “Debat Plus”.
Haxhiu kishte thënë se gjatë kohës sa ishte ministre kishte shkarkuar dy përmbarues sepse kishin marrë më shumë para nga Telekomi sesa ishte e paraparë me obligime ligjore, duke përmendur edhe procedurat e arbitrazhit dhe gjykatave që, sipas saj, kishin rezultuar në favor të “oligarkëve”.
Ndërkohë, Oda e Përmbaruesve e cilësoi këtë pohim si “tërësisht të pavërtetë dhe tendencioz”. Në reagim thuhet se arsyet e shkarkimit të dy përmbaruesve nuk kishin të bënin me çështjen e Telekomit, por me lëndë të tjera për kreditorë dhe debitorë të ndryshëm. Vendimi për lirimin e tyre nga detyra, sipas Odës, ishte marrë vetëm pas vendimeve të komisionit disiplinor.
“Sa i përket çështjes së Telekomit, është e vërtetë se ka pasur suspendime të përmbaruesve, mirëpo të njëjtit janë shpallur të papërgjegjshëm nga Komisioni Disiplinor kompetent. Këto vendime tregojnë se suspendimet kanë qenë të gabuara, pasi janë bërë mbi bazën e një dispozite ligjore arbitrare, e cila lejon ndërhyrjen e politikës në drejtësi dhe pengon trajtimin profesional të rasteve disiplinore”, thuhet në njoftim.
Oda thekson gjithashtu se inkasimet e përmbaruesve në rastet e borxheve janë bërë gjithmonë mbi bazën e dokumenteve përmbarimore dhe vendimeve të gjykatave, sipas mjeteve juridike të shfrytëzuara nga palët në procedurë.
/lajmishqip.net