Pas 17 vitesh: Nga shiriti i ministrave serbë në Graçanicë, te rikthimi i sovranitetit të Kosovës

1 minute, 25 seconds Read

Politikanët serbë mburren me praninë në Kosovë” – ky ishte titulli i një artikulli të publikuar nga BIRN më 23 dhjetor 2008, vetëm disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shkruan KosovaNews.

Në atë kohë, dy ministra të Qeverisë së Serbisë – Goran Bogdanoviç, ministër për “Kosovë e Metohi”, dhe Milan Markoviç, ministër i vetëqeverisjes lokale – patën prerë shiritin për inaugurimin e një zyre të re postare në Graçanicë. Ky veprim, i përcjellë edhe nga faqja zyrtare e Qeverisë së Serbisë, synonte të përforconte narrativën e kontrollit të Beogradit mbi zonat me shumicë serbe në Kosovë. Ministrat serbë hynin e dilnin atëherë lirisht në territorin e Kosovës, ndërsa institucionet paralele jo vetëm që funksiononin pa pengesë, por edhe zhvilloheshin me investime nga Serbia.

Por pas 16 vitesh, situata ka ndryshuar rrënjësisht. Nën qeverisjen Kurti, në gusht 2024 dhe janar 2025, institucionet e Kosovës mbyllën zyrat postare të Serbisë dhe bankën “Kursimorja Postare”, të cilat vepronin pa licenca të rregullta dhe në objekte të uzurpuara të Postës së Kosovës.

Sot, Posta e Kosovës ka filluar aktivitetin e saj në ndërtesën kryesore në qendër të Graçanicës. Në shenjë të këtij momenti, u hoq edhe tabela me mbishkrim në gjuhën cirilike serbe, e vendosur atje 17 vite më parë nga ministri Bogdanoviç.

Ky zhvillim u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sovranitetit të Kosovës. Përmes këtij veprimi, çdo qytetar, pa dallim, ka arsye të ndiejë krenari për një shtet që po shtrin kontrollin e tij ligjor mbi gjithë territorin./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme