Serbia, gjatë dhjetë muajve të fundit, ka arritur një nivel të ri represioni, dhune dhe polarizimi politik – vlerësuan eurodeputetët në debatin e Strasburgut mbi gjendjen e demokracisë në këtë vend. Ata akuzuan presidentin Aleksandër Vuçiq për vendosjen e një modeli autoritar pushteti, që sipas tyre nuk ka vend në Bashkimin Evropian.
Eurodeputetët theksuan se duhet ndalur urgjentisht degradimi i mëtejshëm demokratik, ndërsa debatet mbi dhunën policore ndaj protestuesve në Novi Sad u konsideruan një moment kritik në marrëdhëniet mes BE-së dhe autoriteteve serbe. Ekspertët dhe opozita serbe theksuan se tonet nga Brukseli po ashpërsohen ndjeshëm.
“Është e qartë se Bashkimi Evropian, ngadalë por me siguri, po ndryshon kursin ndaj Serbisë. Kjo nuk shihet vetëm në debatin në Parlamentin Evropian, por edhe në mesazhet nga Partia Popullore Evropiane, e cila ka paralajmëruar hapjen e debatit mbi anëtarësimin e partisë së Vuçiqit. Autoritetet në Serbi po afrohen gjithnjë e më shumë me vijën e kuqe, pas së cilës as vetë Komisioni Evropian nuk mund të heshtë”, tha Bojana Selakoviq, koordinatore e Konventës Kombëtare për BE.
Në seancë morën pjesë edhe përfaqësues të opozitës pro-evropiane, të cilët paralajmëruan se regjimi i Vuçiqit ka futur Serbinë në një krizë të thellë politike. Ata i kërkuan BE-së të mbështesë qytetarët, të njohë presidentin serb si autokrat dhe të vendosë sanksione ndaj funksionarëve të lartë për dhunën policore.
“Serbia ndodhet në një krizë të madhe shoqërore dhe politike. Për ne është jetike që në këtë moment të vështirë për demokracinë të kemi përkrahjen e BE-së, e cila tashmë ka dënuar shkatërrimin e institucioneve dhe të shoqërisë sonë,” tha Radomir Lazoviq nga Fronti i Gjelbër dhe i Majtë.
Një nga përfundimet kryesore të debatit ishte kërkesa që Parlamenti Evropian të dërgojë një mision monitorues në Serbi për të ndjekur nga afër situatën. Ekspertët theksojnë se pavarësisht statusit të kandidatit për BE, Serbia nuk i plotëson kriteret bazë dhe Brukseli duhet të vendosë mes vazhdimit të politikës aktuale ose përdorimit të mekanizmave më të ashpër ndaj Beogradit.
/lajmishqip.net