Tragjedi në Llazarevë: Polici shkakton aksident fatal, humb jetën një pjesëtar i stafit civil të Policisë

0 minutes, 47 seconds Read

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se hetuesit e tij janë informuar nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku me pasojë vdekjeprurëse, i cili ka ndodhur në orët e mbrëmjes.

Ngjarja tragjike u regjistrua në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë, konkretisht në fshatin Llazarevë. Një zyrtar policor, jashtë detyrës zyrtare dhe duke drejtuar automjetin e tij privat, ka shkaktuar një aksident trafiku ku për pasojë ka humbur jetën shtetasi L.S., i cili ishte pjesë e stafit civil në Policinë e Kosovës.

Në vendin e aksidentit kanë mbërritur menjëherë hetuesit e IPK-së, njësitë përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Në lidhje me rastin, është iniciuar procedurë penale për veprën “Rrezikim i trafikut publik”. I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme