Shoqata e Prodhuesve kërkon pezullimin e vendimit të ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë: Faturat ende nuk kanë arritur

2 minutes, 2 seconds Read

Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, që vepron në kuadër të Lidhjes së Bizneseve, i ka kërkuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) pezullimin e menjëhershëm të vendimit për tarifat e reja të energjisë elektrike, duke e konsideruar atë një kërcënim serioz për sektorin prodhues në vend.

Përmes një reagimi, Shoqata ka vënë në pah mungesën e theksuar të përgatitjes institucionale dhe të transparencës gjatë zbatimit të këtij vendimi.

“Fakti që ende nuk kanë ardhur faturat, tregon qartë se nuk ka pasur as përgatitje minimale për zbatimin e këtij vendimi. Kjo situatë dëshmon mungesën e transparencës, planifikimit dhe konsultimit me palët e prekura”, thuhet në reagim, raporton lajmishqip.

Më tej, Shoqata shpreh shqetësimin se vendimi në fjalë është marrë në një periudhë tejet delikate për industrinë vendore, e cila po përballet me sfida të shumta ekonomike.

“Ky vendim, në një kohë kur bizneset vendore po përballen me: rritje të madhe të importeve, rënie të eksportit, dhe vështirësi serioze në ruajtjen e tregjeve të BE-së, po shndërrohet në një barrë të papërballueshme për prodhuesit tanë”, thuhet tutje në reagim.

Sipas tyre, rritja e papritur e kostos së energjisë, e ndërmarrë pa asnjë paralajmërim apo konsultim paraprak me sektorin privat, mund të dëmtojë rëndë konkurrueshmërinë dhe mbijetesën e bizneseve lokale.

“Rritja e menjëhershme e kostove të energjisë, pa asnjë paralajmërim apo diskutim me sektorin privat, rrezikon jo vetëm konkurrueshmërinë, por edhe vetë mbijetesën e shumë ndërmarrjeve vendore”, thuhet mes tjerash në reagim.

Për këtë arsye, Shoqata kërkon që ZRRE të tërheqë pa vonesë vendimin dhe të fillojë një proces të ri, i cili duhet të jetë i mirëplanifikuar dhe gjithëpërfshirës.

“Kërkojmë nga ZRRE pezullimin e menjëhershëm të vendimit dhe fillimin e një procesi të përgjegjshëm, të hapur dhe të planifikuar për një tranzicion të drejtë dhe të qëndrueshëm në fushën e energjisë. Sektori prodhues duhet të trajtohet si partner strategjik, jo si viktimë e politikave të nxituara. Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të jetë gjithmonë pranë prodhuesve dhe bizneseve, në shërbim të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme