Erdogan: Izraeli po përdor Druzët si pretekst për të zgjeruar “banditizmin” në Siri

1 minute, 26 seconds Read

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, akuzoi të enjten Izraelin se po e shfrytëzon pakicën Druze në Siri si një justifikim për të thelluar praninë e tij ushtarake në vendin e shkatërruar nga lufta.

Gjatë një fjalimi televiziv, Erdogan deklaroi se “Izraeli, duke përdorur Druzët si arsyetim, është duke zgjeruar banditizmin e vet nëpër lagje të Sirisë gjatë dy ditëve të fundit.”

Ai shtoi me ton të prerë: “Dua ta theksoj edhe një herë, qartë dhe drejtpërdrejt, Izraeli është shtet i paligjshëm dhe pa parime,” raporton lajmishqip.

Sipas presidentit turk, agresioni izraelit përbën problemin më të madh rajonal, duke paralajmëruar se “nëse nuk ndalet menjëherë, ai nuk do të hezitojë që t’ia vë flakën rajonit tonë dhe më pas botës.”

Provinca Sveida në jug të Sirisë, e banuar nga pakica Druze, ka qenë arenë e përleshjeve të ashpra mes luftëtarëve Druzë, fiseve sunite Beduine dhe ushtrisë siriane me aleatët e saj, ku qindra persona kanë humbur jetën.

Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj pozicioneve të forcave qeveritare në jug të Sirisë dhe kundër selive ushtarake në Damask, duke kërcënuar se sulmet do të vazhdojnë deri në tërheqjen e plotë të trupave siriane.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, një aleat i afërt i Izraelit, kanë njoftuar se është arritur një marrëveshje për uljen e tensioneve dhe qetësimin e situatës në këtë zonë.

Erdogan po ashtu bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, pas largimit të forcave siriane nga provinca Sveida, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme