Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se Rusia do të përballet me tarifa doganore ndëshkuese nëse nuk i jep fund konfliktit në Ukrainë brenda një afati prej 50 ditësh.
“Afati është 50 ditë, dhe siç është bërë e qartë, nëse një marrëveshje armëpushimi ose paqeje nuk arrihet brenda kësaj kohe, apo nëse Rusia refuzon ta pranojë ligjërisht atë, atëherë do të përballet me tarifa jashtëzakonisht të larta. Gjithashtu, do të vendosen sanksione dytësore për vendet që blejnë naftë ruse, një masë që padyshim do t’i shkaktonte dëm të konsiderueshëm ekonomisë së Rusisë,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Leavitt theksoi se Presidenti Donald Trump synon përfundimin e luftës përmes një zgjidhjeje diplomatike, raporton lajmishqip.
“Ai ka insistuar vazhdimisht për këtë… presidenti dëshiron të ndalojë vrasjet dhe të shpëtojë jetë njerëzish,” shtoi ajo.
Megjithatë, vlen të përmendet se vëllimi tregtar midis SHBA-së dhe Rusisë është i ulët, duke zënë më pak se 1 për qind të totalit, çka e bën efektin e tarifave eventuale potencialisht të kufizuar.
Po ashtu, sanksionet dytësore ndaj vendeve që tregtojnë me Rusinë mund të mos kenë ndikimin e pritur, pasi Kina ka sinjalizuar se do ta mbështesë fuqimisht Moskën në rast të një lufte tregtare, raporton lajmishqip.