Vuk Drashkoviq: Vuçiqi ka ndryshuar rrënjësisht, Serbia duhet të njohë realitetin e krijuar në Kosovë!

1 minute, 36 seconds Read

Ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Drashkoviq, ka deklaruar se Presidenti Aleksandar Vuçiq është sot një “njeri tjetër” në krahasim me fillimin e mandatit të tij, duke argumentuar se kthesa e tij pro-evropiane u sabotua nga vetë opozita dhe Kisha Ortodokse Serbe. Në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”, Drashkoviq tha se Vuçiqi i viteve 2012-2014 nuk ka lidhje me atë që është sot.

Ai kujtoi se në atë kohë besonte në sinqeritetin e Vuçiqit, i cili edhe vetë pranonte në një shkrim se politika e viteve ’90 ishte e gabuar. Drashkoviq tha se e kishte mbështetur angazhimin e tij për evropianizimin e Serbisë dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, përfshirë nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit më 2013. Sipas tij, pikërisht këto përpjekje u minuan nga brenda. “Tre peshkopë të Kishës Ortodokse Serbe mbajtën një ceremoni përkujtimore për nënshkruesit e gjallë të Marrëveshjes së Brukselit. Opozita e qëlloi me gurë në vend që ta përkrahte,” pohoi ai.

Drashkoviq shtoi se që nga viti 2014, ai ka qenë “opozita e vetme ndaj Vuçiqit në shumë drejtime”, duke qenë zëri i vetëm që kërkonte publikisht pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe Interpol, si dhe anëtarësimin e Serbisë në NATO. Ai po ashtu tregoi se e kishte paralajmëruar Vuçiqin “të mos mashtrojë popullin me rrugë e spitale, sepse nuk jetohet vetëm me bukë”.

Në fund, ai dha një vlerësim të zymtë për gjendjen aktuale, duke e përshkruar si rënien më të madhe morale të Serbisë. “Asnjëherë më parë fryma, morali dhe arsyeja e shëndoshë nuk kanë qenë kaq të varrosura,” tha Drashkoviq, duke kritikuar gjuhën fyese të pushtetit ndaj protestuesve, të cilët quhen “ustashë, nazistë e spiunë të huaj”, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme