Studentët publikojnë video ku policë serbë dyshohet se mburren për rrahjen e protestuesve

1 minute, 14 seconds Read

Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Civile në Kralevë kanë publikuar të dielën në mbrëmje një video ku, sipas tyre, oficerë policie dëgjohen duke u mburrur pas dhunës në protestën e së shtunës në Beograd. Në pamjet e shpërndara në platformën X, policët pretendohet se thonë se “ia kanë nxirë jetën” disave prej demonstruesve.

“Policia serbe nuk fshihet më. Në këtë video, ata mburren se si rrahin njerëz. Nuk është ligji, është mafia me uniforma,” shkruan në reagimin e studentëve, të cilët shtojnë se policët qeshnin “sikur po luanin një lojë, jo duke shkelur të drejtat e njeriut.” Ata e përmbyllin mesazhin me fjalët: “Për ato minuta force – vitet do të përgjigjen.”

Kjo video lidhet me protestën masive të Vidovdanit, të mbajtur një natë më parë në Sheshin Slavia, ku sipas vlerësimeve të Arkivit të Tubimeve Publike morën pjesë rreth 140,000 njerëz. Protesta zyrtare studentore përfundoi rreth orës 21:30, pas së cilës shpërthyen përleshje të dhunshme midis qytetarëve dhe forcave të xhandarmërisë e policisë.

Pas trazirave, Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, konfirmoi se 48 policë mbetën të lënduar dhe 77 protestues u ndaluan, me 29 prej tyre në paraburgim deri në 48 orë. Arrestimet kanë vazhduar edhe të dielën, ndërsa Presidenti Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se do të ketë edhe të tjera, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme