Pjerin Ndreu prezanton rregullat dhe çmimet e reja në Lezhë: Shezlloni 4 euro në Shëngjin dhe 5 në Ranën e Hedhun

1 minute, 1 second Read

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka njoftuar një reformë në menaxhimin e plazheve, duke vënë fund, siç u shpreh ai, “masakrave me çmime” për pushuesit. Sipas tij, në plazhet publike të menaxhuara nga bashkia, një shezllon do të kushtojë 4 euro në qendër të Shëngjinit dhe 5 euro në Ranën e Hedhun.

Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Ndreu shpjegoi se rregullorja e re, e hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, parashikon që të drejtën për të vendosur shezllonë me pagesë ta kenë vetëm hotelet, sipas një raporti të përcaktuar: 100 çadra për çdo 50 dhoma.

Ai pranoi se këtë vit ka ende disa kontrata 5-vjeçare që nuk mund të anulohen, por premtoi se “vitin tjetër do të ketë një situatë akoma më të mirë”.

“Nuk ka më masakra të tilla, shembull 15, 20, 25 deri në 40 euro që mund të paguajë një pushues. Ne kemi shkuar tre euro në Tale, katër euro në qendër të Shëngjinit, pesë euro në Ranën e Hedhun,” deklaroi Ndreu.

Kryebashkiaku theksoi se hapësirat publike mbeten të lira dhe çdo pushues mund të përdorë çadrën e tij pa asnjë pagesë, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme