Pas vendimeve gjyqësore, Oda Amerikane i bën thirrje ZRRE-së: Pezulloni liberalizimin e tregut të energjisë

1 minute, 38 seconds Read

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të pezullojë menjëherë procesin e liberalizimit të tregut të energjisë. Kjo kërkesë vjen pas disa aktvendimeve të fundit të Gjykatës Komerciale, të cilat kanë pezulluar zbatimin e vendimeve të ZRRE-së për disa kompani.

Në një komunikatë për media, Oda Amerikane thekson se zbatimi i pjesshëm i reformës, ku disa biznese përfitojnë nga pezullimi gjyqësor ndërsa të tjerat jo, krijon një mjedis diskriminimi ekonomik dhe pasigurie të thellë juridike. Sipas OEAK, fakti që dy gjyqtarë të ndryshëm kanë arritur në përfundime të njëjta tregon se shqetësimet për ndikimin negativ në treg janë serioze.

“Oda Amerikane beson fuqishëm se reformat, përfshirë ato në sektorin e energjisë, duhet të drejtohen nga parimet e drejtësisë, parashikueshmërisë dhe trajtimit të barabartë para ligjit. I bëjmë thirrje ZRRE-së që të pezullojë menjëherë zbatimin e masave të kontestuara derisa gjyqësori të japë qartësi përmes vendimeve përfundimtare,” thuhet në njoftim.

Së fundmi, Gjykata Komerciale në të paktën dy raste të ndara ka marrë vendime për pezullimin e njoftimeve të ZRRE-së për daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë. Një nga aktvendimet, i datës 19 qershor 2025, ka miratuar masën e sigurisë për shtyrjen e ekzekutimit të njoftimit të ZRRE-së të datës 3 qershor 2025.

Këto vendime gjyqësore janë mirëpritur edhe nga organizata të tjera, si Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë (DHTIK), të cilat kanë theksuar se kjo dëshmon që shqetësimet e bizneseve kanë qenë të drejta.

Këto zhvillime pasojnë një sërë protestash dhe ankesash nga komuniteti i biznesit, të cilët kishin paralajmëruar se vendimi i ZRRE-së për liberalizim të përshpejtuar do të rëndonte ndjeshëm ekonominë e vendit, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme