Ambasada Gjermane i bashkohet thirrjes së shoqërisë civile: Vendi para partive, formoni institucionet

1 minute, 27 seconds Read

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka mbështetur publikisht protestën e organizuar nga shoqëria civile, duke i bërë jehonë thirrjeve për t’i dhënë fund bllokadës institucionale që ka lënë Kosovën pa legjislaturë funksionale për më shumë se katër muaj pas zgjedhjeve.

Përmes një postimi në kanalet zyrtare, ambasada përcolli një mesazh të qartë për spektrin politik, duke cituar edhe ambasadorin Jörn Rohde:

“I japim jehonë mesazhit të fortë të shoqërisë civile: Kosovës i duhet një Kuvend funksional, një kryetar i zgjedhur dhe një qeveri që jep – për të gjithë qytetarët e saj. Siç ka theksuar edhe ambasadori Rohde vazhdimisht: vendi i pari, politika partiake e dyta. Është përgjegjësi kolektive e të gjithë deputetëve dhe partive të zgjedhura të tregojnë lidership, të angazhohen në dialog kuptimplotë dhe kompromis në frymën e Kushtetutës. Mandatet demokratike vijnë me llogaridhënie. Le të ecim përpara – për stabilitet, për progres dhe për popullin.”

Kjo mbështetje vjen në ditën kur Kuvendi i Kosovës dështoi për herë të 37-të radhazi të konstituohet. Bllokada vazhdon për shkak të mungesës së votave të nevojshme nga koalicioni i Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa për të zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.

Situata është komplikuar më tej pasi Grupi Parlamentar i AAK-së ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese lidhur me propozimin për votim të fshehtë, një metodë kjo e kërkuar nga koalicioni fitues.

Seanca e radhës, që paraqet përpjekjen e 38-të, është caktuar të mbahet ditën e premte, më 27 qershor 2025, në ora 11:00, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme