E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu deklaroi se propozimi për qeveri të unitetit është tendencë për të minimizuar vullnetin e popullit. Sipas saj, përgjegjësia për konstituim të kuvendit nuk i takon vetëm LVV-së por edhe partive të tjera politike.
Kështu u shpreh ajo pas dështimit të herë të 29-të për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje tha se “kërkojnë unitet për konstituim të kuvendit”.
“Ne kërkojmë unitet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Pra, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi unitet që ta konstituojmë Kuvendin e Kosovës. Qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit. Kryeministri Kurti është lideri më i votuar ndonjëherë në Republikën e Kosovës dhe LVV sot është subjekti i parë me më së shumti vota në vend. Prandaj, propozime të tilla janë tendencë për të minimizuar vullnetin e popullit, për të shkelur atë dhe natyrisht nuk e kanë mbështetjen e LVV-së. Ata thonë qeveri e tranzicionit, e të tjera, por qeveri të tranzicionit e kemi për momentin, sepse qeveria jonë, qeveria në dorëheqje apo në detyrë është edhe qeveri e tranzicionit sepse e kryejmë detyrën deri në qeverinë e ardhshme. Prandaj, le t’i braktisin këto qëndrime të cilat janë kundër vullnetit të popullit”, deklaroi Haxhiu.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se gjashtë herë me votim të hapur është tentuar votimi i kryeparlamentarit. Por, sipas saj, nuk është vetëm përgjegjësi e LVV-së që zgjedhet kryeparlamentarit.
“Ka pasur përpjekje gjashtë herë që votimi për kryetar të kuvendit të bëhet me vota të hapura, nuk ka rezultuar i suksesshëm. Këtu e kemi edhe letrën e presidentes Osmani, e cila kërkon nga të gjitha partitë politike që të kontribuojnë në konstituimin e kuvendit. Nuk i përket vetëm LVV-së që të kontribuojë në konstituimin e kuvendit, ne kemi marrë për detyrë dhe përsipër që të kontribuojmë në këtë pikë. Nuk është përgjegjësi vetëm e jona, është edhe përgjegjësi edhe e deputetëve të opozitës”, shtoi ajo.
Haxhiu tha se askush nuk mund të ndërhyjë në një të drejtë të subjektit politik, derisa u pyet se a është e gatshme që të propozohet dikush tjetër për kryeparlamentar.
“Jemi përgjigjur disa herë sa i përket kësaj, të drejtën për të propozuar kryetarin e kuvendit e ka LVV-ja si subjekti i parë, me më së shumti vota në zgjedhje. Prandaj, askush nuk mund të ndërhyjë në një të drejtë të një subjekti politik, sepse të drejtat kushtetuese janë mbi preferencat individuale apo të subjekteve të tjera politike”, tha Haxhiu.
Deputetët dështuan edhe në përpjekjen e 29-të për konstituim të kuvendit, për shkak të mungesës së kuorumit për votim të komisionit për votim të fshehtë. 53 deputetë kanë votuar pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. /KP