“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” të lidhura me Listën Serbe? Ja çfarë thotë kryeministri Kurti

1 minute, 57 seconds Read

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot përpara mediave prezantoi kronologjikisht sulmet që u kryen nga qershori e deri më tani në veri, sidomos atë në kanalin e Ibër-Lepencit.

Kurti e akuzoi Serbinë për financimin, planifikimin dhe logjistikën e sulmeve terroriste në veri të vendit.

Më herët, presidentja Osmani deklaroi se Lista Serbe është organizatë, ku individët e saj kanë kryer akte terroriste dhe kanë cenuar rendin kushtetues të Kosovës, dhe se KQZ-ja si institucion i pavarur ka vendosur në mënyrë të pavarur për këtë vendim.

Lidhur me këtë, kryeministri Kurti u shpreh “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” tashmë janë shpallur organizata terroriste.

I pyetur nga IndeksOnline nëse ekziston mundësia që edhe Lista Serbe të shpallet e tillë, Kurti u përgjigj:

“Ne i kemi shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën Veriore” më 29 qershor 2023, në mbledhjen e qeverisë. Për ato kemi pasur fakte të bollshme dhe këtë gjë e kemi bërë. Nëse iu kujtohet, se ka pasur tepër shumë zhvillime që nga atëherë, kemi marrë shumë kritika ndërkombëtare për atë vendim tonin. Dhe, merreni me mend, më pak se tre muaj më vonë, na ndodhë “Banjska”. Pra, shpallja terroriste e atyre dy organizatave, të ashtuquajtura “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore”, doli të ketë qenë veprim i duhur, vendim adekuat, nga ana jonë.

Tash, bëhet fjalë për një parti politike që është e ndryshme për nga karakteri me ato, dhe megjithatë ne nuk i kemi vendosur në të njëjtën kategori. Do të thosha se u përket organeve të ndjekjes së sigurisë, dhe sidomos Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatës, që të zbardhin shumë më tepër, dhe me shpejtësi të shtuar të sjellin drejtësi edhe mbi lidhjet e mundshme ndërmjet “Mbrojtjes Civile” e “Brigadës Veriore” në njërën anë, dhe Listës Serbe në anën tjetër.”

Kryeministri ndërkohë deklaroi se të dhënat e siguruara nga institucionet e inteligjencës së Kosovës tregojnë se Milan Radoiçiq, me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Beogradit, ka dhënë urdhra për kryerjen e disa sulmeve në Kosovë, duke përfshirë atë në kanalin Ibër-Lepenc më 29 nëntor./IndeksOnline

Publikime te ngjashme