Ministria e Bujqësisë ka bërë një reagim zyrtar në lidhje me ngarkesat me mandarina nga Shqipëria që nuk janë pranuar nga disa vende të Bashkimit Europian për shkak të pesticideve të përdorura, të cilat prej vitesh nuk përdoren dhe konsiderohen si të rrezikshme.
Në njoftimin e ministrisë bëhet me dije se për vitin 2024 janë eksportuar në tregun evropian 924 kamionë me mandarina dhe vetëm 3 prej tyre janë kthyer për parregullsitë e përmendura më lartë.
Sipas ministrisë, ku raport nuk mund të dëmtojë mundin dhe djersën e fermerëve shqiptarë dhe të krijojë panik te qytetarët.
“Sipas njoftimit të Sistemit të Njoftimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë – RASFF për mbetje të pesticideve në mandarina të eksportuara nga Republika e Shqipërisë, AKU ka marrë masa të menjëhershme për gjurmueshmërinë dhe veprimet procedurale mbi subjektet eksportues duke marrë masa dhe veprime konkrete për të asgjësuar 20.482 kg Mandarine clementine, në datën 19.12.2024, në Qarkun e Fierit, ngarkesë e cila është kthyer mbrapsht nga shteti i Kroacisë. Procedura e asgjësimit është kryer së bashku me praninë e Autoritetit Kombëtar të Mjedisit, Drejtorinë e Tatimeve, si dhe me praninë e disa mediave të ndryshme.
Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në datën 19.12.2024, u kryen inspektime dhe evidentime të përbashkëta në Fshatin Mursi të Bashkisë së Konispolit, ku ushtron aktivitet kultivues një nga fermerët, i cili kishte asgjësuar produktin mandarinë. Për subjektet grumbulluese të rezultuara në shkelje të dispozitave ligjore, përveç se është kryer kallëzim penal, sipas shkeljeve, janë marrë edhe masa administrative gjobë, si dhe bllokim aktiviteti. Për ndjekjen e situatës në vijim, çdo ditë janë kryer inspektime të përbashkëta në qarkun Berat, Bashkia Dimal.
Informojmë konsumatorin lidhur me dy ngarkesat e tjera, të raportuara nga shteti i Kroacisë për mbetje të pesticideve sipas njoftimit të sistemit RASFF, se njëra është asgjësuar në shtetin Kroat, ndërsa tjetra nuk është kthyer ende në vendin e origjinës. Janë njoftuar të gjitha PIK që në rast kthimi të produktit, të bëhet bllokimi i menjëhershëm i tij me destinacion asgjësimin.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet në subjektet që tregtojnë Produkte të Mbrojtjes së Bimëve dhe Produkte Plehëruese, ku vetëm për këtë javë janë kontrolluar dhe verifikuar 46 subjekte tregtuese të PMB-ve, në të cilat nuk u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore. Vazhdojnë pa ndërprerje kontrollet në pikat e tregtimit, pikat e grumbullimit dhe magazinimit të fruta perimeve, ku përveç 18 mostrave të përcaktuara në planin e monitorimit të pesticideve për muajin Dhjetor, për produktin mandarinë, me qellim mbajtjen e situatës në kontroll, janë marrë edhe 7 mostra të tjera jashtë planit, për analizim në Laboratorin e Referencës – ISUV”, shkruhet mes të tjerash në reagimin e Ministrisë për çështjen e mandarinave.