Komshiq pas takimit me Kurtin: S’kemi pse e pyesim Dodikun, falënderojmë Kosovën për vendimin e jashtëzakonshëm për viza

2 minutes, 14 seconds Read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vizitën e tij sot në Bosnjë e Hercegovinë është takuar me dy anëtarë të Presidencës atje, atë boshnjak Denis Beqiroviq dhe atë kroat, Zhelko Komshiq.

Ky i fundit ka shkruar në Facebook për takimin që pati me Kurtin ku tha se e ka falënderuar për veprimin e njëanshëm të të Kosovës për heqje të vizave qytetarëve të Bosnjës, duke thënë se pikërisht për këtë është “lëvizje e jashtëzakonshme” nga Kosova.

“Faleminderit Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ne e vlerësojmë një lëvizje kaq të jashtëzakonshme të njëanshme dhe për këtë arsye të pazakontë. Kjo lëvizje sigurisht që do të kontribuojë në një lidhje më të mirë mes qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe në rritjen e shkëmbimit të mallrave të ndërsjella”.

Komshiq foli edhe për kundërshtimin e vizitës së Kurtit në Bosnjë nga ana e Republikës Srpska dhe kryetarit të saj, Milorad Dodik.

“Lidhur me kritikat e supozuara lidhur me vizitën e Kurtit dhe takimet që ai ka në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat vijnë nga RS si dhe nga rajoni, ju kujtoj se RS nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe se RS nuk është kompetente për të lëshuar viza për hyrje në Bosnje-Hercegovinë, si dhe se anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës me siguri nuk do ta pyesin Dodikun, apo dikë tjetër, se me kë do të takohemi dhe çfarë do të diskutojmë”.

Ai tha se këto kritika janë tentativa për mohim të sovranitetit të vendit të tij.

“Ne i perceptojmë kritikat që vijnë nga vendet e rajonit si një tjetër dëshmi evidente e tentativave për të mohuar sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe presion ndaj organeve dhe institucioneve sovrane të vendit tonë në drejtimin e politikës së jashtme”.

Dodik dje ka thënë se qëndrimi i kryeministrit kosovar në Bosnje do ta ndërlikojë situatën në këtë shtet.

“Bosnje e Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën. Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët nga ai rajon të hyjnë me letërnjoftim”, tha Dodik, sipas raportimit të Srnas dje.

Po ashtu, edhe ministra të RS nuk morën pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në shenjë revolte për shkuarjen e Kurtit atje.

Publikime te ngjashme