​Bislimi: Takimi me Petkoviq në Bruksel përfundoi pa rezultat në tema të rëndësishme

3 minutes, 39 seconds Read

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se ai dhe homologu i tij serb, Petar Petkoviq, nuk kanë arritur pajtueshmëri për rrugën drejt zbatimit të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur pas takimit në Bruksel me Petkoviqin nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropiane, Bislimi tha se në fokus të takimit ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për normalizimin e marrëdhënieve, për çka Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

Bislimi theksoi se “asnjë rezultat” nuk u arrit për këtë.

Zyra e Kryeministrit thotë se në takimin bilateral u trajtuan një mori temash, gjersa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

Në takimin bilateral me emisarin Lajçak si dhe në atë trilateral, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Kryeministria njofton se Bislimi kërkoi garanci për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Ai nënvizoi dhe nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, patur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të marrëveshjes nga Serbia dhe vijat e saj të kuqe që shkelin frymën dhe nenet e marrëveshjes, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Brnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës”, thuhet në njoftim.

Kryeministria njofton se një nga temat e trajtuara në takimin bilateral me emisarin Lajçak, ka qenë edhe dhe çështja e personave të pagjetur, ku Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët.

“Gjithashtu u diskutua edhe për marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjes, energjinë dhe vizitat zyrtare. Emisari Lajçak vlerësoi hapjen e qendrës për inspektime teknike në veri, gjersa përmendi që brenda një muaji do të lëshohen linjat e interkoneksionit duke avancuar me zbatimin e marrëveshjes së energjisë”, përfundon njoftimi.

Ky është takimi i parë trepalësh pas më shumë se tre muajve, pasi në takimeve e kohëve të fundit, Bislimi dhe Petkoviqin nuk kishin arritur pajtueshmëri për t’u takuar së bashku.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke folur një ditë para takimeve në kuadër të dialogut, kishte thënë se mbajtja e një takimi të përbashkët do të varej nga vullneti i palëve.

Në takimin e fundit në shtator, Lajçak nuk arriti t’i bindë Bislimin dhe Petkoviqin të mbajnë takim trepalësh, pasi ata kishin mospajtime për temat që do të donin t’i shtjellonin.

Në lidhje me temat që pritet të shtjellohen në takimet në Bruksel, Stano tha se ato kanë të bëjnë me nevojën për zbatimin e detyrimeve nga dialogu i deritashëm, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

“Agjenda është e njëjtë sikur që ka qenë edhe në të kaluarën, pra nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të obligimeve nga dialogu. Nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe nevoja që edhe Kosova edhe Serbia të pajtohen për progresin në dialog”, tha Stano.

Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

Herën e fundit kur ishte zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti. Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime.

Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.

Publikime te ngjashme