Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama falënderoi presidentin Erdogan për vizitën në Tiranë, ku përveç përurimit të xhamisë së Namazgjasë u nënshkruan disa marrëveshje mes Shqipërisë dhe Turqisë.
“Ejvallah”, i tha Rama presidentit Erdogan në deklaratën e përbashkët për mediat.
“Presidenti i Turqisë e përsërit sa herë takohemi dhe me shumë të drejtë, që niveli i shkëmbimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk e pasqyron ashtu siç duhet potencialin mes dy vendeve dhe ambicia jonë është që sa më shpejt të arrijmë tavanin e 2 miliardë eurove, për të çelur një fazë të dytë me edhe më shumë të zhvillimeve të këtyre shkëmbimeve”.
Rama tha se edhe Erdogan kishte rënë dakord që Turqia duhet të bëjë më shumë investime në vendin tonë në fushën e turizmit. “E dimë të gjithë që Turqia ka bërë një transformim të jashtëzakonshëm në këtë fushë dhe ka një nivel ekslence që është e domosdoshme për ne”, tha Rama.