PD-ja e kapur nga Berisha proteston 3 orë me molotov kundër institucioneve në Tiranë, raportohet për 10 policë të lënduar

1 minute, 0 seconds Read

Opozita në Shqipëri protestoi të hënën për 3 orë në Tiranë duke hedhur molotovë dhe sulmuar disa prej institucioneve.

Protesta nisi fillimisht përpara Kryeministrisë, më pas, turma e udhëhequr nga drejtuesit e Partisë Demokratike u zhvendosën edhe drejt selisë së PS, Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës e Parlamentit, ku u hodh molotov.

Policia sekuestroi rreth 15 shishe me molotov në afërsi të Bashkisë, të cilat ishin të ndara në dy çanta. Lëndët u gjetën të paplasura pasi i lanë protestuesit në momentin që efektivët hodhën gaz lotsjellës. Për shkak të hedhjes së molotovëve, Policia e Shtetit njoftoi se 10 efektivë pësuan dëmtime.

Në ditën e parë të mosbindjes civile, siç e konsideroi edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, u krijua trafik dhe kaos në qytet pasi u bllokuan kryqëzimet kryesore. Protestuesit shkatërruan instalacione, reklamat e vendosura në rrugë, si dhe u vunë flakën stacioneve të autobusëve dhe koshave të mbeturinave.

Protesta që nisi në orën 18:30 dhe përfundoi në 21:30, kishte si kryefjalë krijimin e një qeverie teknike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Publikime te ngjashme