Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka marrë pjesë në një konferencë të titulluar “Paqja, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor”. Kurti në fjalën e tij ka folur edhe për liberalizimin e vizave, duke thënë se ka dalë ashtu siç ishte parashikuar për aspektin e emigrimit.
Sipas Kurtit, pas liberalizimit nuk është rritur numri i kosovarëve që e kanë lëshuar vendin përgjithmonë dhe sipas tij, ka gjithnjë e më shumë njerëz që po kthehen në Kosovë.
Në fjalën e tij Kurti i ka bërë thirrje mërgatës që të investojnë në Kosovë për të fituar.
“Liberalizimi i vizave njëmend ua lejon qytetarëve që të jenë afër vendeve perëndimore dhe të kalojnë kohë në shtete ku kanë familje, miq, apo mundësi shkëmbimi profesional, por padyshim pa u zhvendosur përfundimisht. Dhe pikërisht ashtu siç e patëm paraparë liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës nuk e ka rritur migrimin. Përkundrazi, ka njerëz që shkojnë veçse në mënyrë të rregullt dhe ka gjithnjë e më shumë njerëz të cilët kthehen. Me këtë rast unë bëj thirrje edhe njëherë mërgatës tonë që për dallim prej para tri dekadave kur ju thoshim kontribuoni duke sakrifikuar, tash ju themi investoni për të fituar. Ata janë pjesë e zhvillimit edhe rritjes sonë dhe ne dëshirojmë që këtë po ashtu ta rrisim e ta zhvillojmë”, ka thënë Kurti.