Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se kërcënimet që po i bënë Serbia ndaj Kosovës, janë vazhdimësi e së kaluarës nga shtet jo vetëm ndaj Kosovës por edhe destabilizimin e rajonit.
Maqedonci ka thënë se institucionet e Kosovës marrin seriozisht çdo kërcënim, por ka thënë se nuk frikësohen nga ato.
Ai në Tëvë 1, ka thënë se institucionet e vendit janë në krye të detyrës.
“Çdo kërcënim që vjen në drejtim të Republikës së Kosovës, nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet e shtetit merret me seriozitet. Na bëjnë që të ngrisim dhe rrisim dhe të mirëmbajmë vigjilencën të gjitha institucionet por assesi nuk na frikëson, për shkak që ne jemi në vendin tonë, institucionet tona janë duke kryer detyrat sipas Kushtetutës, sipas ligjeve përkatëse, janë duke zbatuar misionet e tyre”, tha ministri Maqedonci.
Së fundi presidenti serb Vuçiq ka publikuar disa kërkesa ndaj Kosovës, madje ai kishte paralajmëruar se do të shpallë të okupuar veriun e Kosovës, por në fund ishte tërhequr nga kjo pikë me arsyetimin se do të nënkuptonte njohjen e Kosovës.