Gramos Agusholli, deputet i Lëvizjes “Vetëvendosje”, është deklaruar lidhur me postimin e ministrit Murati ku ka theksuar rëndësinë e transparencës në metodologjinë e përdorur për matjen e rritjes ekonomike dhe shprehu nevojën për të kuptuar më mirë këto të dhëna.
Agusholli pranoi se rritja e punësimit, me mbi 20 mijë qytetarë të punësuar falë masave si iniciativa “Superpuna”, mbështetje për punësimin e grave, dhe subvencionet në bujqësi, është një tregues i rëndësishëm i rritjes ekonomike.
“Duke dashur të qëndroj objektiv, është fakt se mbi 20 mijë qytetarë janë punësuar falë masave të ndërmarra nga Qeveria, si iniciativa Superpuna, mbështetja financiare për punësimin e grave, përkrahja për të rinjtë, dhe subvencionet e shumta në sektorin e bujqësisë, ku ka pasur rritje në punësim dhe rrjedhimisht kjo është rritje ekonomike”, tha Agusholli për FrontOnline.
Pavarësisht sfidave si emigrimi i të rinjve dhe pagat e ulëta, Agusholli theksoi se është arritur progres më i madh se në qeveritë e kaluara, duke vlerësuar se Kosova ka një pozicion më të mirë se shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor në terma të rritjes ekonomike.
“Me sfidat me të cilat është përballur vendi ynë, si emigrimin e të rinjve dhe pagat e ulëta, konsideroj se është punuar më shumë se në qeveritë e kaluara. Nuk e di a jemi në 4 top vendet për nga rritja ekonomike, por e di që qëndrojmë më mirë se te gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, përfundoi Agusholli.