Mbi 50 projekte e bashkëpunime ndër rajonale, me fokus aktivizmin rinor dhe kulturën, nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë mbështetur gjatë vitit të fundit nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) në kuadër të programit, Fondi i Kulturës për Rininë në Ballkanin Perëndimor (WBYCF).
Fondi i Rinisë për Kulturën është një nga programet kryesore që RYCO menaxhon prej vitit 2023. Ky program ka për qëllim mbështetjen e artistëve të rinj, praktikantëve të kulturës dhe organizatave rinore, që kanë në fokus të punës së tyre kulturën dhe artin, ose organizatave kulturore që punojnë me rininë. Gjithashtu, ky program ka si objektiv unifikimin e skenave lokale kulturore në rajon me mbështetjen e nismave kulturore në nivel komunitar, duke shërbyer si një vlerë e shtuar për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut ndërkulturor, procesit të pajtimit dhe ruajtjes së paqes.
Kinematografia, dizajni, letërsia, arkitektura, trashegimia kulturore, teatri, baleti kontemporan dhe grafitet urbane janë disa prej sektorëve të kulturës që janë aplikuar në projektet e shumta të përfituesve të programit të Fondit të Rinisë për Kulturën në rajon.
Në datën 10 shtator të këtij viti ka startuar procesi i aplikimeve për thirrjen e tretë të këtij programi, ku ftohen për të aplikuar të gjithë artistët e rinj, praktikantët e kulturës dhe organizatat rinore që operojnë në Shqipëri, Bosnje-Herzegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi dhe Serbi. Procesi i aplikimeve të këtij programi, të financuar nga Ministria e Jashtme Federale Gjermane, do të përmbyllet në 10 tetor.
Si në dy thirrjet e shkuara edhe për thirrjen e tretë, financimi për projekt propozimin për individët është 3000 E. Ndërsa për organizatat e shoqërisë civile, shuma e financimit është 6000 E.
Për më shumë informacione në lidhje me procesin e aplikimit të programit të Fondit të Rinsë për Kulturën mund të klikoni në këtë link.