Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar për Telegrafin se dy persona janë lënduar si pasojë e përleshjes që ka ndodhur sot mes tifozëve të Fushë Kosovës dhe Vushtrrisë.
Dy tifozeritë e klubeve respektive, ‘Forca’ dhe ‘Pampurat’ u përleshën në hyrje të stadiumit ‘Ekrem Grajçevci’ duke u gjuajtur mes vete me mjete të forta.
“Sot rreth orës 15:00, në stadiumin “Ekrem Grajçevci” në Fushë Kosovë, gjatë një ndeshje futbolli, ka ndodhë një incident, ku tifozët janë përleshur gjuajtur mes vete me mjete të fortë, me ç’rast janë lënduar 2 prej tyre”.
“Pas vënies nën kontrollë të situatës, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për incidentin. Deri tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar”, ka thënë Ahmeti.
Kujtojmë se Vushtrria ia doli që në fund të triumfojë në këtë përballje me shifrat 3-1, falë dy golave të Urim Statovcit dhe një tjetër të Daut Maxhunit./Telegrafi