Një aeroplan ushtarak britanik aterroi të mërkurën në mbrëmje në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me një kontingjent të forcave të Mbretërisë së Bashkuar, që do t’i bashkohen misionit të KFOR-it në Kosovë.
NATO njoftoi përmes një postimi në platformën X se mbi 300 trupa nga regjimenti “Royal Yorkshire” do të vendosen përkohësisht në Kosovë dhe do të kryejnë aktivitete stërvitore së bashku me trupat e tjera të KFOR-it.
Qëllimi kryesor i këtij dislokimi është të testojë procedurat për reagimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre me operacionet e KFOR-it.
Stërvitja synon të rrisë gatishmërinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë dhe të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të mandatit të tij, i bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Misioni i KFOR-it vazhdon të kontribuojë për një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e Kosovës, në mënyrë të paanshme.
Pas përfundimit të stërvitjes, trupat britanike do të ridislokohen dhe do të kthehen në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjithashtu, KFOR-i ka njoftuar se do të marrë masa për të minimizuar ndikimin në trafikun rrugor, për shkak të lëvizjeve të trupave dhe automjeteve ushtarake gjatë stërvitjes./Telegrafi