Pse po dështon miratimi i Ligjit të Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme?

5 minutes, 50 seconds Read

Gjatë gjithë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të kaluara ishte paraqitur si premtimi më i madh i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe pavarësisht se është miratuar në qeveri pas ndryshimeve të bëra, Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nuk po arrin ende që të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Edhe pse njëherë më 9 shkurt të vitit 2023 u votua ky ligj në Kuvend, ai më pas u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga deputetë të Partisë Demokratike, ku u shpall i pavlefshëm pas një viti e gjysmë shqyrtim nga Kushtetuesja.

Javn e kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pasi Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se disa nene të këtij ligji nuk ishin në harmoni me Kushtetutën.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kanë adresuar me përkushtim gjetjet e Gjykatës në të njëjtin ligj, pa draftuar një ligj të ri.Ndër të tjera, Haxhiu theksoi rëndësinë e konfirmimit nga Gjykata se konfiskimi civil është kushtetues.

Siç kemi theksuar edhe më parë, një nga triumfet më të mëdha është konfirmimi që konfiskimi civil është kushtetues, duke e cilësuar si një instrument legjitim dhe proporcional për luftimin e korrupsionit në sektorin publik. Kjo është një fitore e qartë për shtetin e së drejtës dhe një mesazh i fuqishëm për të gjithë ata që abuzojnë me detyrën zyrtare dhe për të gjithë ata që thonin se konfiskimi civil i shkel të drejtat e njeriut” – tha ajo.

LDK e gatshme për votim

Por, Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, për gazetën “Bota sot” thotë se LDK është pro votimit të Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, por që kundërshton qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Image

Armend Zemaj

Foto galeri

“Siç e dini LDK ka qenë gjithmonë pro ndërtimin të mekanizmave shtetërorë për luftimin e dukurive negative, madje siç dihet i kemi dhënë edhe përkrahje kësaj nisme, anipse jemi në opozitë, sepse ky ishte premtim i LDK-së, por është diçka tjetër që qeveria e VV-së tregoi paaftësi edhe në këtë segment të qeverisjes, duke i ndryshuar qëllimet fillestare dhe deshti ta kthej në një mekanizëm për përndjekje politike”, shprehet Zemaj.

Sipas tij, LDK do ta mbrojë në çdo formë kushtetutshmërinë, për çka dyshon në ndryshimet që pushteti aktual i ka bërë në këtë ligj.

“Tani pas miratimit të versionit tjetër, pritet të shohim ndryshimet, se a janë përmbajtjesore, që është pak e besueshme, apo ndryshime kozmetike përçka është i njohur ky pushtet. Por ta keni të ditur që në secilin variant LDK do ta mbrojë kushtetutshmërinë e vendit siç ka bërë dhjetëra herë vetëm gjatë këtij mandati të qeverisjes arbitrare të Albin Kurtit”, deklaron deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Kritika Qeverisë

Image

Astrit Kolaj

Foto galeri

Kurse hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Astrit Kolaj shpreson se Qeveria ka adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrezoi herën e parë këtë ligj.

“Pasi ky ligj është rrezuar nga Gjykata Kushtetuese, ne si IKD nuk kemi qenë të ftuar dhe nuk kemi pasur asnjë qasje në draftin qe është miratuar nga Qeveria. Andaj në këtë fazë nuk mund të themi se diçka më shumë, sepse nuk e dimë se a janë adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese tani në këtë draft që u miratua nga Qeveria”, thotë Kolaj për “Bota sot”.

Kolaj ka kritikuar qasjes e Qeverisë, e cila nuk e ka dërguar farë për konsultime publike, duke e tejkaluar këtë procedurë.

Mirëpo një problem që e karakterizon këtë ligj, është se ky u miratua nga Qeveria duke tejkaluar një procedurë, siç është ajo e konsultimeve publike. Duke e devijuar këtë procedurë, kjo është për keqardhje dhe e çuditshme se si ka vepruar Ministria e Drejtësisë në radhë të parë dhe Qeveria, që një ligj kaq të rëndësishëm mos ta dërgoj në konsultime publike. Sepse siç dihet konsultimet publike janë të domosdoshme për ta garantuar pjesëmarrjen dhe për të qenë sa më transparent. Dhe ky ligj kaq i rëndësishëm tejkalon një procedurë pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe grupet e tjera të interesit”, përfundon Astrit Kolaj nga IKD.

Dështimi i Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Ndërsa juristi Blerim Burjani e sheh si të dështuar Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Image

Blerim Burjani

Foto galeri

Ky ligj antikushtetues shkon në Gjykatë Kushtetuese ku përfundimisht hedhet poshtë, pra ky ligj nuk përfundon me dëshirë por me mundësi dhe ligjshmëri, pra nuk duhet me ligjet kundër kushtetuese, sepse një organ i tillë bien ndesh me strukturën aktuale të sigurisë dhe rendit dhe ligjit”, thekson Burjani.

Unë e kuptoj se VV e ka premtim elektoral, por kjo nuk shkon kështu, duhet të mësohen të respektojnë shtetin dhe kushtetutën, nuk duhet askush te merret me këtë çështje apo një çështje që lëvizë kundërligjshmërinë. Një ligj i tillë është problem i madh për të kapërcyer lehtë nëpër dyert e Gjykatës, andaj ky ligj mbetet në sirtar të VV-së apo në kartotekën e ligjeve të kuvendit si ligje të dështuara”, përfundon Blerim për “Bota sot”.

Në ligjin e shpallur të pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Kushtetuesja tha se procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është e pavarur nga procedura penale, “standardi i të provuarit nuk është ai penal i ‘dyshimit të bazuar’, por ai civil i ‘vlerësimit të gjasave’ dhe sipas të cilit, pasuria cilësohet e pajustifikueshme, nëse gjykata bazuar në prova ‘beson që një gjë ka më shumë mundësi të jetë apo të ketë ndodhur se sa jo’”.

Ligji, që është shpallur i pavlefshëm, përfshinte periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre./botasot.info

Publikime te ngjashme