Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në Serbi, Nemanja Staroviq, ka thënë se pakoja që Qeveria e Serbisë e ka miratuar të shtunën “për t’i mbrojtur të drejtat e serbëve dhe interesat kombëtare e vitale shtetërore në Kosovë” është më gjithëpërfshirësja që ka ndërmarrë Serbia në 25 vjetët e fundit. Sipas tij, disa nga masat do të nisin të implementohen qysh në fillim të nëntorit.
“Kemi pasur kërkesa të qarta drejtuar bashkësisë ndërkombëtare. Kërkesa me bazë dhe të shpjeguara mirë për kthim në ‘status quo ante’, në kohën para se Albin Kurti, duke zbatuar masat e njëanshme, të shkatërrojë dhe rrëzojë Marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Staroviq në RTS.
Pakoja, sipas tij, pos dimensionit politiko-juridik, ka edhe aspektin socio-ekonomik.
Sipas Staroviqit, Kosova do të shpallet “zonë e mbrojtur sociale” brenda gjashtë javëve. Për këtë do të ndahen buxhet që të paguhen serbët në veri.
Ai ka thënë se disa nga masat do të nisin së zbatuari në nëntor, disa në dhjetor e disa në janar.
Të premten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prezantoi pesë masa për Kosovën. Sipas prezantimit, aty përfshihen kthimi në gjendjen e “para vendimeve të njëanshme të Kosovës; shpalljen e Kosovës si zonë nën mbrojtje të posaçme speciale; përforcim të mëtejmë të institucioneve serbe në Kosovë; themelimin e një prokurorie të posaçme për ndjekjen penale të keqpërdorimeve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në zonën e Kosovës; dhe vendimin për paligjshmërinë e të gjitha institucioneve në Kosovë të themeluara pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë”.
Në të njëjtën kohë ai prezantoi edhe shtatë kërkesa për Kosovën për “kthim në dialog të mirëfilltë”.